Përplasja Rama-Meta për dekretimin e ministrave, Gjykata Kushtetuese jep vendimin

Gjykata Kushtetuese vendosi që të pranojë pjesërisht kërkesën e kryeministrit Edi Rama lidhur me përplasjen me Presidentin Ilir Meta në lidhje me kompetencat për dekretimin e ministrave.

Sipas gjykatës, të tre institucionet e përfshira në emërimin e anëtarëve të kabinetit qeveritar; Presidenti, Kryeministri dhe Kuvendi, kanë të drejtë të verifikojnë dhe të vlerësojnë emrat që shkojnë për miratim, por duke detyruar palët që të shprehen brenda afateve që përcakton Kushtetuta.

Përplasja presidencë-qeveri nisi pasi në janar të vitit 2019, kryeministri Edi Rama propozoi si zëvendësuesin e Ditmir Bushatit, Gent Cakajn, shqiptar i Kosovës. Emri i tij iu dërgua presidentit, por ky i fundit në mënyrë të paprecedentë, refuzoi ta dekretojë.

Gjithsesi Rama e mbajti Cakajn si ministër në detyrë, ndërsa i mori vetë kompetencat e ministrit të Jashtëm.

VENDIMI I PLOTË

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, mori në shqyrtim në seancën plenare të datës 18.05.2021, çështjen me kërkues Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, me objekt: “Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencave ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Interpretimi i nenit 98, pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”.

Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese, njëzëri,

– Pranimin e pjesshëm të kërkesës.

– Pushimin e gjykimit për kërkimin mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës, ndërmjet Kryeministrit dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

– Interpretimin përfundimtar të nenit 98 të Kushtetutës, për sa vijon:

– Në procedurën e emërimit dhe shkarkimit të ministrit, Kryeministri, Presidenti dhe Kuvendi, udhëhiqen nga parimi i luajalitetit kushtetues dhe atij të ndarjes dhe balancimit të pushteteve.

– Kompetenca për emërimin dhe shkarkimin e ministrit ndahet ndërmjet tre organeve të mësipërme.

– Procesi i emërimit të ministrit duhet të garantoje përmbushjen e kritereve dhe cilësive kushtetuese për këtë funksion.

– Vlerësimi dhe verifikimi i kandidatit për ministër, bëhet nga të tre organet e përfshira në proces, secili sipas rolit dhe kompetencave të tij kushtetuese, brenda afateve kushtetuese, në përputhje me arsyetimin e këtij vendimi.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT