“Amerika promotore e pastrimit të politikës shqiptare”, Dyrnjaja: Gjuha agresive e Metës tregon frikën e tij

“Meta e ka humbur betejën si kreu i shtetit”. Kështu u shpreh sot gazetari i njohur, Denis Dyrnjaja, teksa ishte i ftuar në emisionin “Breaking” në Top News.
Teksa komente zhvillimet e fundit në lidhje me komisionin hetimor, gazetari u shpreh se Meta ka veshur kostumin e presidentit vetëm një ditë pas zgjedhjeve. Sipas tij, presidenti para zgjedhjeve ka luajtur një rol politik.
Gjithashtu gazetari i njohur komentoi edhe maxhorancën, e cila për herë të dytë kërkon shkarkimin e presidentit, Ilir Meta.
“Maxhoranca nuk është serioze në kërkesat për Metën. Vetë e bëri president, e shpalli si presidentin më të mirë, e tani kërkon shkarkimin e tij. Tani Meta o është i mirë ose i keq. Njëherë e anulon komisionin se nuk kishte bërë krime të rënda. Nuk ke këllqe politike, shko e merre sipas ligjit. Ky është shteti që ne kërkojmë”, tha Dyrnjaja.
Ky i fundit u shpreh se shkarkimi i Metës nuk është vetëm kërkesë e Partisë Socialiste, pasi në Shqipëri po ndryshojnë disa gjëra.
“Nuk është më në dorën e maxhorancës. Është momenti që në Shqipëri disa gjëra po ndryshojnë falë Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha gazetari.
“Amerika promotore e pastrimit të politikës shqiptare”,
Sipas tij, amerikanët deri në momentin që marrëdhënia ekziston, ruajnë protokollin. Ai shtoi se amerikanët i kemi të domosdoshëm për ekuilibrin tonë politik.
“Amerika është promotore e pastrimit të politikës shqiptare. E mesa duket ka nisur, e si do të vijojë apo do të përfundojë ne nuk e dimë. Kur ata të shpallin non grata, do të thotë se lista është e gjatë dhe janë emra të politikanëve”, tha gazetari.
Ky i fundit shtoi se gjuha e ashpër që ka përdorur Meta gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të 25 prillit, ka treguar se ka frikë.
“Përballja me ligjin dhe frika nga ligji nuk të krijon imunitet shpirtëror. Gjuha agresive e tij, nuk tregon forcën por frikën. Maturia është arti dhe niveli më i lartë i forcës, e Meta nuk ka treguar forcë. Ai nuk është presidenti im, do të doja një Ilir Meta tjetër. Ishim mësuar me një presidenti të ekuilibruar, por në dy vitet e fundit na doli nga të gjitha parashikimet, të qëndronte te qetësia ose dashuria”, tha Dyrnjaja.
Gazetari shtoi më pas se beson në shkarkimin e Metës, pasi janë përcaktuar katër pika të nenit përkatës ku presidenti ka shkelur kushtetutën.
“A ishte thirrja e presidentit për sfurqe? Po sikur të ishim para faktit që njerëzit të merrnin sfurqet, e një i LSI-së të godiste një të PS-së, ku do shkonim? Nuk është çamet shkarkimi i Metës”, përfundoi gazetari i njohur.