Zuri vendin e 3 në “Eurovision”/ Shqiptari flet për eksperiencën e veçantë dhe ka dy fjalë për Anxhela Peristerin (FOTO)

Gjon Muharremaj, i cili përfaqësoi Zvicrën në “Eurovision” dhe arriti që të dilte i treti, ishte sot në një lidhje “Skype” me “Breaking” në Top News për të folur për eksperiencën e tij në festivalin e rëndësishëm.
“Jam shumë krenar që jam këtu te Top News. Shumë i emocionuar dhe krenar për pjesëmarrjen time në Eurovision. Për mua ishte që të arrija sa më lart dhe unë kisha top 5-shën në kokën time. E kur arrita te vendi i tretë, ishte një arritje e madhe. Vendi i parë nga juria një gjë shumë e bukur.
Të jesh fituesi nuk do të thotë të jesh më i miri, por më i pëlqyeri. E ndodh që për një këngëtar që ka fituar këtë festival, të mos dëgjojmë më për ata fare, pasi harrojnë të fillojnë të punojnë. Unë doja që të prekja njerëzit dhe ia arrita”, tha Gjoni.
Këngëtari i famshëm u shpreh se ka qenë dita më e bukur e jetës së tij, pasi kishte të gjithë njerëzit që donte pranë.
“Ishin prindërit, ata që kanë bërë këngën me mua, delegacioni im. Pasi dola nga skena mora gjyshin, i cili ishte shumë i emocionuar. E kam bërë punën time, të prek njerëzit e ti emocionoj. Nuk ishte performancë perfekte, por unë do e bëja sërish. Me ato gabime, jam njeri normal, nuk jam makinë. I lumtur që kam bërë këtë eksperiencë. Një publicitet shumë i madh”, tha Gjoni.
Ky i fundit foli edhe për këngëtaren, Anxhela Peristeri, e cila përfaqësoi Shqipërinë me këngën “Karma”. Sipas Gjonit, Anxhela është një këngëtare shumë, shumë e talentuar dhe gjithashtu shumë njeri i mirë.
Teksa i uroi shumë suksese Anxhelës, Gjoni tha që ta mbështesin atë sa më shumë, pasi është një talent .