“Saliu mbylli çështjen”/ Xhaxhai i Aleks Nikës: 21 janari t’i kalojë SPAK, të hetohen Basha dhe Berisha

Prokuroria e Tiranës rifilloi sot hetimet për dosjen “21 janari”, ku në fokus është zbardhja e autorit që vrau protestuesin Aleks Nika.

Në një lidhje me emisionin OPEN në Top Channel, xhaxhai Aleks Nikës, Mark Nika tha se do të donte që dosja t’i kalonte SPAK.

Vendimi i prokurorisë është i mirëpritur, tha Nika,  por paralelisht ne kemi bërë padi në Strasburg. Ai u shpreh se struktura e re SPAK është më e mbrojtur nga ndikimet politike, prandaj kërkon që dosja t’i kalojë strukturës së posaçme.

“Ju përshëndes të gjithëve, veçanarisht Bushatin i cili është kujtuar dhe ka shkruar për çështjen tonë. Vendimi i prokurorisë është i mirëpritur, por paralelisht ne kemi bërë padi në Strasburg. Jemi në gjendje të paqartë. Drejtësia duhet të prevalojë. Hetimet janë bërë të përcipta, ka patur ndikime politikë. Ajo është vrasje shtetërore, jo e zakonshme. Nuk duhet të merret prokuroria e Tiranës, por SPAK me këtë çështje.SPAK është më pak I ndikueshëm.  Prokuroria e ka patur dosjen prej 11 vitesh, është luajtur ping pong. Unë nuk kam besim, pasi janë të ndikuar nga politika. Ka ndikuar Saliu në mbylljen e çështjes bashkë me disa ambasada në vend. ”, tha Nika.

Mark Nika kërkon që të merren në hetim për vrasjen edhe Sali Berisha dhe Lulzim Basha.  Nuk ka drejtësi në Shqipëri pa u hetuar kjo çeshtje, tha Nika në Open.

“Nuk ka prokuror apo gjyqtar që therrët Berishën apo Bashën. Është një vepër e rëndë penale. Prokuroria ka gabuar që në fillim. Prandaj ne gjykojmë se subjekt hetimi duhet të jenë ish-kryeministri, ish-ministri i Brendshëm, dhe ish-komandanti i Gardës. Kërkesa jonë është që hetimin ta bëjë SPAK. Nuk ka drejtësi në Shqipëri pa u hetuar kjo çeshtje. Ne duam drejtësi, drejtësia ka munguar. Unë akuzoj Berishën, Bashën, Andrea Prendin. Duhet të hetohet edhe Adriatik Llalla.”, tha Nika./Gazeta SHQIP

Back to top button
LAJMET E FUNDIT