Takimi me krerët e SPAK dhe “FBI-së shqiptare”, mesazhi i fortë i Kim: Koha e pandëshkueshmërisë ka marrë fund

Ambasada e SHBA në Tiranë ka dhënë detaje lidhur me takimin e ambasadores Yuri Kim me kreun e SPAK, Arben Kraja dhe kreun e BKH, Aida Hajnaj.
Diplomatja e SHBA ka diskutuar rezultatet e SPAK dhe sfidat me të cilat ata u përballen në vitin e tyre të parë. Mesazhi është i qartë: Askush nuk është mbi ligjin dhe po merr fund kultura e pandëshkueshmërisë.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin rolin e rëndësishëm që SPAK ka në zbatimin e suksesshëm të reformës në drejtësi. Zhvillimi i vërtetë po ndodh. SPAK e nisi vitin 2021 me rezultate të vërteta nga çështje të mëdha. Ndërsa mesi i vitit 2021 po afron, Kreu Kraja dhe Drejtori Hajnaj i rikonfirmuan Ambasadores Kim se puna po vijon intensivisht në SPAK. Pavarësisht sfidave dhe sulmeve, SPAK është përqendruar për të treguar se askush nuk është mbi ligjin. Ata vazhdojnë të hetojnë krime të ndryshme, të organizuara e të mëdha, korrupsionin dhe krimet zgjedhore, dhe janë të vendosur për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Askush nuk është mbi ligjin!”, thuhet në reagimin e ambasadës./Gazeta SHQIP