Të shkruash historinë nuk është njësoj si të firmosësh një tender!

Artan Fuga – Të shkruash një histori staliniste dhe të shkruash një histori antikomuniste kjo nuk ka lidhje fare me atë që ti gjen një dokument që njollos një ballist a legalist, unë gjej një dokument që njollos një komunist!
Ka shumë të ngjarë që të dyja të jenë ndërtuar me metodologji staliniste. Njëra stalinizëm komunist, tjetra stalinizëm antikomunist.
Të ndërtosh një histori të çliruar nga bataku metodologjik stalinist është çështje e kuptimit filozofik të historisë, e metodologjisë filozofike të kuptimit të fakteve dhe ngjarjeve, e fenomenologjisë të ngjarjeve, e psikanalizës të personazheve historikë, e hermeneutikës të tekstit dokumentar, e tensionit midis harresës dhe kujtesës kolektive, e rastësisë dhe domosdoshmërisë, e papërkthyeshmërisë të së shkuarës te e sotmja, e shkakësive lineare dhe rrethaqarkulluese, e pa fund çështje që as nuk janë debatuar as duken në horizont përpjekje për t’i debatuar.
Ndokush që nuk merr vesh nga historia dhe filozofia kujton se të bësh kërkim historik është si të firmosësh një tender!
Pa u çliruar mendimi historik nga dogmat botëkuptimore staliniste të rrënjosura në dekada, pa një ballafaqim me kuptimin postmodernist të historisë, historia do të mbetet një përrallë nacionaliste, e veshur me propagandë ideologjike për pushtetin dhe e mbushur me paragjykimet e atyre që shkruajnë.
Por do presim, do të shohim, dhe të kemi kohën për të parë rezultatin!