Shpërthen Arlind Qori: Samir Mane, fajtor për vrasjen e minatorëve bashkë me pronarët e tjerë

Pedagogu Arlind Qori ishte i ftuar sot në studion e Breaking në Top News ku foli për punën e vështirë të minatorëve dhe se si ata po “vriten” nga pronarët oligarkë.
Ai tha se nuk ka aspak kushte të mira për punëtorët që trajtohen si vegla pune, sepse pronarët duan të fitojnë me çdo kusht.
“Puna në minierë është puna më e rrezikshme, vetëm lufta është më e rrezikshme se puna në minierë. Kjo e minatorëve nuk është vdekje në punë, por është vrasje, vrasje që kanë për autorë ata që duhet të marrin masa të plota sigurie që puna të jetë e sigurtë si gjithë të tjerat, por ne kemi çdo javë lajme për minierë të vrarë e plagosur, dhe mendoj se shkaku i këtyre tragjedive është grykësia e pronarëve, oligarkëve të cilët duan të fitojnë me çdo kusht. Në sytë e tyre minatori nuk vlen, është veç vegël pune. I paguan ndonjëherë, se pagat nuk merren çdo muaj dhe se minatori i vrarë apo i gjymtuar, si pa ndodhur gjë, zëvendësohet direkt nga një tjetër po aq i varfër si ai,” tha Qori.
“Interesat e qeverive janë të lidhura me pronarët e kromit që janë oligarkë, mafiozë. Po u bë statusi i minatorit i duhet të paguajë dëmshpërblim nëse minatori vdes, gjymtohet apo duhet të rrisë dhe pagat.
Statusi i minatorëve i intereson minatorëve, por jo pronarëve të galerive dhe shtetit,” u shpreh ai.