Presidenti çek kërkoi falje për bombardimet e NATO-s, Serbia i dhuron 100 mijë vaksina Pfizer

Falja që presidenti çek, Milos Zeman i kërkoi Serbisë për bombardimet e NATO-s “i ka dhuruar” Pragës 100 mijë vaksina Pfizer.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç shoqëroi një aeroplan me 100.620 doza të vaksinave Pfizer BioNTech për në Republikën Çeke. Ambasadori çek në Serbi, Tomas Kuchta theksoi se është një ditë e shkëlqyer për marrëdhëniet reciproke midis Republikës Çeke dhe Serbisë.
“Serbia gjithmonë ka qenë partneri ynë, gjithmonë ka qenë afër nesh dhe në momentet kur kemi qenë në krizë dhe sot kemi përsëri prova se jemi një popull vëllazëror. Ky donacion është një dhuratë , e madhe “, tha Kuchta.
Ai shtoi se nuk ka vaksina të mjaftueshme në Republikën Çeke, dhe se Praga, ndryshe nga vendet e Ballkanit, kanë kapacitete, por jo vaksina. “Ndihma vjen në një kohë kur shumë njerëz duan të vaksinohen para pushimeve verore dhe që të gjithë të ndihen të sigurt dhe të vazhdojnë një jetë normale,” tha Ambasadori Kuchta.
“Nuk mendoj se do ta harrojmë kurrë këtë gjest”, tha ai.
Ambasadori gjithashtu tha se shpresonte që Serbia dhe Republika Çeke të vazhdonin bashkëpunimin miqësor dhe vuri në dukje kontaktet e mira personale midis Presidentëve të Serbisë dhe Republikës Çeke, i cili i kërkoi së fundmi falje Serbisë për bombardimet e NATO-s, të cilat i dhanë fund vrasjeve makabre të ushtrisë serbe në Kosovë.