Spiropali rrëfen ofertën e Ramës për opozitën dhe Bashën

Partia Demokratike është në prag të procesit të saj për zgjedhjen e kryetarit, por për ministren e Shtetit, Elisa Spiropali nuk do të ketë ndonjë surprizë, pasi do të zgjidhet sërish Lulzim Basha, duke e lidhur atë më zgjedhjet e mëparshme në partinë më të madhe të opozitës.
E ftuar në emisionin “Top Talk” në Top Channel, ministrja Spiropali zbuloi më tej dhe detajet mbi ofertën e kryeministrit Edi Rama në adresë të opozitës.
“Nuk kemi asnjë tabu mbi këtë temë, nuk kemi asnjë skemë. Skemën duhet ta vendosim bashkërisht në një tryezë. Kryeministri e ka deklaruar nuk kemi asnjë problem as me propozimin e tyre. Jemi të gatshëm të ulemi të disuktojmë me të gjithë mundësitë, përfshirë edhe propozimin edhe nga PD-ja për presidentin. Do të ishte proces shumë shërues në procesin tonë toksik në politikën shqiptare”, tha Spiropali.
Ajo theksoi se pas vendimit të Parlamentit për shkarkimin e Metës duhet të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe se PS dhe PD duhen të ulen në një tryezë për zgjedhjen e presidentit, kjo nëse gjykata e quan të drejtë vendimin e Parlamentit për largimin e Metës.