“Patronazhistët patën rol kryesor në fitoren e 25 prillit”, PS ngre Komision për analizimin e rezultatit zgjedhor

Drejtuesit e Partisë Socialiste falenderuan patronazhistët për rolin e luajtur në zgjedhjet e 25 prillit.
“Ata përbënin bazën e përpjekjeve të partisë me takime e kontakte me qytetarët”, tha sekretari organizativ i PS-së. Arben Pëllumbi.
Pëllumbi tha se ky rol i patronazhistëve është vlerësuar edhe nga kryesocialisti Edi Rama.
“Veprimtaria e tyre pati përkrahje duke hedhur poshtë zhvlerësimet e etiketimet e pamerituara nga opozita”, u shpreh Pëllumbi.
Deklaratat u bënë gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë, ku u mor vendimi për të thirrur Kongresin më 12 qershor dhe krijimin e një komisioni të posaçëm që do të realizojë në gjashtë muajt e ardhshëm analizën e rezultatit të zgjedhjeve të 25 prillit në çdo bashki.