SHËNIM: Makina luksoze, rrobat “firmato”, look-u Kardashian. Sa e ka çmimin drejtësia në “Palermon” tonë në kërthizë të Shqipërisë?

Nga Edona Llukaçaj
Kur ish presidenti dhe ish-kryeministri i vendit z.Berisha, së bashku me familjarët e tij, u shpall persona non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ngazëllimi e pikëllimi në varësi të kaheve sikur nuk na lejoi të shihnim në sy një të vërtetë të madhe.
Cilësimi i z. Berisha, pushtetarit e më vonë figurës me peshë politike, si i tillë shprehte edhe këmbënguljen e SHBA-ve për ta përmbushur misionin e reformës në drejtësi për të cilin janë investuar e kanë investuar, si dhe suksesin e paktë a arritjet e limituara të kësaj të fundit.
Ajo që shumë deshën ta lexojnë si “një dorë” për mandatin e tretë të kryeministrit Rama apo një goditje politike kundër të ashtuquajturit lideri historik i një partie të vetëfutur “në reanimacion”, është më shumë se gjithçka një thirrje me mjete diplomatike drejtuar një aleati të vogël strategjik.
Edhe pse e rëndë dhe kompleksuese për ta pranuar, ata paskan pasë të drejtë: problemi ynë më i madh ka qenë e vazhdon të jetë drejtësia.
E kapur, e shitshme, e lirë!
Ndonëse besoj fort se jeta personale e dikujt nuk duhet e nuk mund të përdoret kurrë për të goditur profesionalisht atë, videot tashmë virale të kryegjykatëses së Elbasanit, që, nëse nuk na bëjnë të ulërasim, zhgënjejnë e ngrenë dyshime pafund, e dëshmojnë këtë.
Përtej faktit nëse zonja në fjalë ka apo jo llogari në Tik-Tok, nëse i ka bërë vetë publike videot e fotot apo ia kanë bërë “për inat”, problemi qëndron te çfarë shfaqet në to.
Makina luksoze, rrobat “firmato”, look-u i inspiruar prej Kardashian, që pasqyrohet në videot dhe që minimalisht janë filmuar me vullnet të lirë, nuk besoj se mund të justifikohen me rrogë gjykatësi pesë vjeçar apo edhe kryegjykatësi një vjeçar. Pa drejtuar gishtin e akuzuar, domosdo e mendon se sa mund ta ketë çmimin drejtësia në “Palermon” në kërthizë të Shqipërisë.
Shijet e preferencat në çdo fushë, përfshirë ato muzikore, nuk mund të gjykohen, sigurisht. Kjo është një botë e lirë, e bukur në larmishmërinë e vet. Por teksa shqetësohemi për promovimin dhe impaktin e ‘gangstërave melodiozë’ te të rinjtë, të shohësh se si paradoksialisht një gjykatëse kënaqet me këngë me banda e mafioza të bën të dyshosh se kë dhe si promovojmë në të tilla poste kyçe në vendin tonë.
Një vonesë në punë, një emergjencë a thjesht një moment na ka bërë të gjithëve ta kalojmë limitin e shpejtësisë, padyshim. Por të shohësh një përfaqësuese të drejtësisë tek filmon shtypjen e pedalit të gazit sikur është talent a aftësi e rrallë të bën të mendosh nëse vërtet kaq adoleshente e kemi drejtësinë.
Kjo është qasja e saj ndaj fajit e krimit në princip? A thua ky është perceptimi i tolerancës ndaj paligjshmërisë që emëron dhe rrit në detyrë? Apo edhe legjislativin si politikën e kemi mbi ligjin?
Shqiptarët e dinë përgjigjen. Në fakt jo veç ato; dihet edhe përtej kufijve. Dhe ajo nuk ka aspak lidhje me diskriminimin gjinor e aluduar a të tjera ngjyra që duam t’i japim një sërë veprimesh qartësisht të papërshtatshëm për shumëkënd, por sidomos të padenjë për një gjyqtare, që s’merret vesh drejtësinë e kujt përfaqëson.
