Vuçiç sulmon Kurtin: Po na shantazhon, në Uashington unë nuk nënshkrova njohjen e Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po bën shantazh.

Vuçiç në një konferencë për media ka thënë se Kurti nuk ka pse të vijë në Bruksel nëse mendon se nuk do të bisedohet për Asociacionin e Komunave Serbe.

Kryeministri i Kosovës të martën tha se nuk do të formohet Asociacion njëetnik. Vuçiç është pyetur edhe për deklarimet e zëvendës ndihmës sekretarit të shtetit amerikan, Matthew Palmer, që ka thënë se SHBA-ja kërkon njohje të ndërsjellë Kosovë – Serbi. Në pjesën e dytë të qershorit është paraparë raundi i ardhshëm i bisedimeve në Bruksel.

Vuçiç ka deklaruar se do të reagojë Serbia ashpër në lidhje me mosrespektimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të nënshkruara nën mbikëqyrjen e BE-së.

“Këto nuk janë ditë të lehta dhe të thjeshta për popullin serb. Duket se lejohet të thuhet gjithçka kundër Serbisë. Të gjithë heshtin. Fakti që Albin Kurti po na bën shantazh, unë do ta trajtoj atë si çdo përfaqësues të institucioneve të përkohshme. Nëse nuk i pëlqen kjo, ai mund të përpiqet të bëjë diçka. Unë nuk do të këshilloja këtë. Kur isha në Shtëpinë e Bardhë, unë nuk nënshkrova (njohjen), njerëzit nuk duhet të shqetësohen për këto gjëra. E jona është të bisedojmë. Nëse Kurti mendon se nuk do të flitet për Asociacionin, pasi është Kosova, atëherë nuk ka pse të vijë”, ka thënë Vuçiç, transmeton B92.

Vuçiç ka treguar se sot do të ketë bisedime me Matthew Palmerin dhe po ashtu me të dërguarin special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

“Me këtë rast, mund të them se reagimi ynë do të jetë shumë i fortë dhe i mprehtë në lidhje me çështjen e mosrespektimit të marrëveshjeve të nënshkruara nën kujdesin ndërkombëtar dhe të BE-së”, ka deklaruar Vuçiç.

Njw ditw mw parw kryeministri Albin Kurti i pyetur për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, Kurti tha se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik, raporton Kosovapress.

“Unë më duket se ju përgjigja se çka do të ndodhë me asociacionin. E ka thënë edhe peticioni i qytetarëve edhe veprimet e atëhershme opozitare e qe besa edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Në Kosovë nuk mund të kemi Asociacion njëetnik, pra është e domosdoshme që t’i integrojmë të gjithë qytetarët pa dallim etnie, të mos krijojmë ngrehina të cilat i ndajnë e i përçajnë ata”, ka shtuar ai./koha

Back to top button
LAJMET E FUNDIT