Hyrja në Parlamentin e ri, PD s’ka vendosur ende. Bardhi paralajmëron bojkot: S’mund të jem në një sallë me Taulant Ballën

Partia Demokratike ka lënë ende të hapur mundësinë për të mos hyrë në Parlamentin e ri, ndërsa mbetet për t’u mësuar me kalimin e kohës forma që do të zgjedhë; nëse do ta marrë mandatet e fituara më 25 prill dhe më pas të bojkotojë punimet, apo të refuzojë marrjen e këtyre mandateve.
Deklarata është bërë nga Sekretari i Përgjithshëm i demokratëve, Gazment Bardhi.
“Aktualisht nuk ka një vendim për këtë çështje, pra për pjesëmarrjen në Kuvend. Kjo do të jetë një vendimmarrje e institucioneve të partisë dhe e grupimit parlamentar që do të vendosin raportin e tyre me parlamentin në shtator”, deklaroi Bardhi.
Bardhi thotë se mandatet e fituara nga PD u takojnë qytetarëve me vullnet të lirë e të pastër, ndërsa mandatet e PS, sipas tij, në pjesën dërrmuese janë të atyre që përfaqësojnë interesa okulte të botës së krimit, oligarkëve dhe korrupsionit të këtyre 8 viteve.
Personalisht mendon se nuk mund të bashkëjetojnë mandatet, sipas tij, të pastra të PD me ato të krimit të PS në të njëjtën sallë.
“Gjykoj se nuk është e lehtë të bashkëjetosh në një sallë me përfaqësues të krimit të organizuar. Fjala vjen nuk mund të jem në një sallë me Taulant Ballën, sepse unë përfaqësoj interesin e shqiptarëve, ndërsa Balla interesin e bandave më famëkeqe që janë në Shqipëri dhe në qytetin e Elbasanit”, u shpreh ai.
Megjithatë, numri dy i Partisë Demokratike tha se çdo vendimmarrje do të shqyrtohet e mendohet me kujdes për të përcaktuar format se si mund të bashkëjetohet në të njëjtën sallë me përfaqësues të botës së krimit.