“Ky mund të jetë viti i Ballkanit”/ Varhelhyi në konferencë me Ramën: Gati plani me 30 miliardë euro

Komisioneri Oliver Varhelhyi në samitin e Ballkanit Perëndimor që zhvillohet në Tiranë tha se është arritur një marrveshje për plan investimesh në rajon.
Në konferencën e përbashkët me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, komisioneri europian shtoi se është në dorë të vetë vendeve të rajonit për ta kthyer këtë vit në vitin e Ballkanit Perëndimor. E sipas tij kjo arrihet vetëm me punë.
Varhelhyi përmendi edhe konkretisht disa prej planeve që përfshin marrëveshja.
“Kemi punuar për krijimin e tregut tonë të përbashkët rajonal, nuk kemi arritur ende aty ku duam, por duam të arrijmë në korrik kur të kemi dhe samitin e radhës. Shikojmë rezultatet e para, dhe do të ketë akoma gjëra më të mëdha, që qytetarët të lëvizin me karta identiteti, heqja e lejes për punë, që Ballkani Perëndimor t’i ofrojë gjithçka qytetarëve të saj.
Plani i investimeve mobilizon 30 miliardë euro, do japë rezultatet nëse vetë rajoni punon për këtë treg rajonal. Ne kemi një marrëveshje tashmë dhe jemi të gatshëm që të fillojmë këtë plan investimesh sa më shpejt të jetë e mundur.
Po hyjmë në një muaj kritik për Ballkanin Perëndimor, kemi shumë çështje mbi tryezë. Kemi këtë samit të sotshëm që të tregojmë rezultatet. Ky mund të jetë viti i rajonit ballkanik, dhe këtë duhet ta tregojmë me punë,” tha Varhelhyi.