LAJMI FUNDIT/ Virusi H5N8 konfirmohet në 3 vatra, Shqipëria ndalon tregtimin e shpendëve të gjallë

Gripi i shpendëve ka prekur zyrtarisht edhe Shqipërinë. Tre vatra të gripit të shpendëve, janë zbuluar respektivisht në Fushë- Krujë, Dajt dhe Bujan.
Duke marrë shkas nga situata dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit, ministria e Bujqësisë ka marrë vendim për të “ndaluar tregtinë e shpendëve të gjallë në mjediset e hapura dhe tregjet e kafshëve të gjalla, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.”
VENDIMI
PËR MARRJEN E MASAVE KUFIZUESE PËR PARANDALIMIN DHE KONTROLLIN E SËMUNDJES SË INFLUENCËS AVIARE NË SHPENDË, NË MJEDISET E HAPURA DHE TREGJET E KAFSHËVE TË GJALLA
Mbështetur në nenin 102, pika 4, e Kushtetutës, germa “b”, e nenit 15, të ligjit nr. 10465, datë 29.9.2011, “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar,
URDHËROJ:
1. Ndalimin e tregtisë së shpendëve të gjallë në mjediset e hapura dhe tregjet e kafshëve të gjalla, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
2. Për zbatimin e këtij urdhri ngarkohen, Drejtoria e Politikave dhe Programeve të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.
Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
Gazeta SHQIP