VIDEO/ Votimi HISTORIK! Shqipëria, anëtare e KS me 175 vota pro, Xhaçka merr urimet e para

Shqipëria zgjidhet anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit duke siguruar votën pro të 175 vendeve nga 190 vende që votuan në total, ndërsa 14 abstenuan.
Kjo është hera e parë që vendi ynë merr një karrige në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, që përbëhet nga 15 anëtarë, ku pesë vende janë anëtaret e përhershme si SHBA, Rusia, Britania e Madhe, Franca dhe Kina dhe 10 të tjerat përtërihen çdo vit nga 193 vendet anëtare të OKB.
Para kësaj vote, ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka shpjegoi në një intervistë të dhënë për Top Channel rëndësinë e këtij posti, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kosovën.
Muhamed Veliu: Zonja ministre, sapo keni përfunduar një takim me Sekretarin e Përgjithshëm OKB-së. Çfarë diskutuat dhe sa shanse ka, që Shqipëria të votohet si anëtare me të drejta jo të plota në Këshillin e Sigurimin këtë të premte?
Olta Xhaçka: Patëm një takim shumë të mirë me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së. kemi pasur si shtet, një marrëdhënie shumë të mirë me të, përgjatë mandatit të parë. Është duke u rizgjedhur në një mandate të dytë, për të cilin jemi të bindur ta thellojmë bashkëpunimin tonë. Edhe ai më garantoi se bashkëpunimi me Shqipërinë do të vazhdojë.
Muhamed Veliu: Si po shkon lobimi? Deri të premten, kur do të votohet nëse Shqipëria do ta marrë statusin e anëtarin me të drejta jo të plota, nuk ka dhe shumë kohë?
Olta Xhaçka: Në fakt, lobimi ka nisur shumë më herët. Padiskutim që kemi një agjendë shumë ambicioze, jemi shumë të qartë, jemi me këmbë në tokë sa i takon kufizimeve që ka një vend i vogël, në një tryezë kaq të lartë, të vendimmarrjes globale.
Po nuk na pengon për të qenë ambicioz për të avancuar një agjendë në dobi të interesave kombëtare, në dobi të çështjeve rajonale, por edhe të atyre që janë prioritetet tona që në fakt vijnë nga eksperienca më e mirë e Shqipërisë. Për Shqipërinë vlen të thuhet që është një mundësi e jashtëzakonshme, patjetër prestigj për politikën e jashtme dhe për diplomacinë e saj por edhe një mundësi e jashtëzakonshme për të thelluar bashkëpunimin me partnerët dhe aleatët me të cilët ndajmë vlera dhe parime të njëjta, por edhe për të zgjeruar aktivitetin diplomatik të Shqipërisë përtej atyre kufijve që kemi pasur deri më sot, sigurisht të diktuara nga një agjendë që është shumë e madhe për të thënë globale sa i takon paqes dhe sigurisë në Këshillin e sigurimit.
Muhamed Veliu: Një vend uljeje në Këshillin e Sigurimit, po për Kosovën si përkthehet?
Olta Xhaçka: Kosova patjetër që është çështje e interesit tonë kombëtar dhe patjetër që do të kemi një mundësi shumë të mirë përmes të qenurit në Këshillin e sigurimit për ta risjellë Kosovën në vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar, të këshillit të sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Patjetër vlen të thuhet që jemi shumë të ndërgjegjshëm për kufizimet që kemi si një vend i vogël në këtë tryezë të madhe, por kjo nuk na pengon që të bëjmë maksimumin për të avancuar ato që janë çështje të interesit kombëtar, çështjet rajonale dhe patjetër ato të paqes dhe sigurisë edhe me gjerë se sa rajoni ynë përmes prioriteteve që i kemi vendosur vetes.
Këshilli i sigurimit përbehet 15 anëtarë prej të cilëve 5 pesë anëtarë të përhershëm SHBA, Franca, Mbretëria e bashkuar, Kina dhe Rusia me të drejtën e vetos. Shqipëria shkon në tryezën e këshillit të sigurimit si kandidaturë konsensuale e grupit të Europës lindore.