Refuzon ballafaqimin fizik/ Leli sfidon Ramën, “mbyll” teatrin e Vlorës për këshilltarët bashkiakë

Krisja e Dritan Lelit me kryeministrin Edi Rama ka bërë që Këshilli Bashkiak i Vlorës t’i dalë hapur kundër kryebashkiakut socialist.
Këshilltarët e bashkisë bregdetare kanë kërkuar një mbledhje urgjente lidhur me situatën e krijuar së fundmi në bashkinë e Vlorës.
Mbledhja jashtë radhe është parashikuar të mbahet sot në ambientet e teatrit “Petro Marko”, por Dritan Leli ka refuzuar kërkesën.
Leli i ka dërguar një letër refuzuese Migena Ballës, kryetare e Këshillit Bashkiak Vlorë, në të cilën thekson se mbledhja në ambiente të mbyllura është në shkelje të rregullave të vendosura nga qeveria në kuadër të pandemisë.
Teksa citon ligjin, Leli thotë se ambientet e teatrit “Petro Marko” nuk do jenë në dispozicion të këshilltarëve, ndërsa thekson se është i gatshëm që takimi të zhvillohet online.
Po çfarë kërkojnë këshilltarët Bashkiakë?
Në letrën e dërguar kryetares së këshillit, anëtarët kërkojnë shpjegime se përse shërbimet vendore në Vlorë po lihen pas dore, duke renditur këtu pastrimin, mirëmbajtjen e rrugëve, ndriçimin e tyre etj.
Anëtarët kërkojnë që pjesë e kësaj mbledhje të jetë kryetari i Bashkisë, Dritan Leli dhe deputetët e Vlorës, mes të cilëve dhe kryeministri Edi Rama.
Krisja e Lelit me Ramën
Kujtojmë se Dritan Leli është shkarkuar nga funksionet që mbante në strukturat drejtuese të Partisë Socialiste të Vlorës. Vendimi për sharkimin e tij është marrë vetëm pak ditë pasi Leli rezuzoi të jepte dorëheqjen si kryetar bashkie dhe t’i bashkohej listës së kandidatëve socialistë për qarkun e Vlorës.
Pavarësisht moskandidimit të Lelit, PS në Vlorë arriti objektivin e saj, duke fituar 8 mandate. Sipas të dhënave zyrtare, PS në Vlorë mori 59023 vota, kundrejt 32128 të grumbulluara nga PD./Gazeta SHQIP