EKSKLUZIVE/ Peter Lucas: Si e njoha unë Berishën dhe çfarë do të ndodhë me gjyqin në Francë

Intervistoi Xhevdet Shehu

Gazetari dhe shkrimtari shqiptaro-amerikan, Peter Lucas, një mik i imi i vjetër, është një njohës i shkëlqyer i Shqipërisë dhe i zhvillimeve që kanë ndodhur në këtë vend, si gjatë regjimit komunist ashtu dhe për ato që kanë ndodhur pas vitit 1990.  Kam zhvilluar me Peterin në DITA disa intervista përgjatë viteve. Ai ka një dëshirë dhe prirje të avancuar për ta parë Shqipërinë mirë e më mirë, ndërkohë që ka njohur nga afër disa nga politikanët më të njohur të vendit gjatë tri dekadave të fundit.

Më ka thënë se pothuajse gjithçka e rëndësishme e shkruar prej tij për Shqipërinë filloi me librin “Rrumpalla” (kështu e ka edhe titullin në anglisht ky libër, ku i bëhet një shpjegim fjalës rrumpallë).

Në atë libër Piteri tregon përjetimet e tij nga Shqipëria komuniste dhe në dhjetëvjetëshin e parë pas përmbysjes. Tregon se titullin e ka huazuar nga Edi Rama kur ishte kryetar bashkie për herë të parë në Tiranë. Pavarësisht se nuk e kuptoi fillimisht termin, kur kapi thelbin kuptoi gjithçka.

Megjithatë, mua më duket sikur ai ndihet i sikletosur kur e pyes për zhvillimet aktuale. Dhe ka të drejtë. Pavarësisht se i ndjek me shumë vëmendje zhvillimet tona nga SHBA dhe i njeh thuajse imtësisht politikanët tanë, distanca bën punën e vet… Më të lehtë e ka të flasë fjala vjen, për vitet e Luftës së Dytë Botërore dhe për aspekte të ndryshme të viteve të socializmit, se sa për këto të tanishmet. “Unë nuk jetoj atje”, më thotë. E, megjithatë, flet.

Pse Shqipëria nuk u bë Zvicër? Pasi kanë kaluar 30 vjet nga përmbysja e regjimit komunist, Peter Lucas shpjegon në këtë intervistë ekskluzive në DITA arsyet pse Shqipëria nuk u shndërrua në një lloj Zvicre, sikurse u premtua në vitet e para të shpalljes së pluralizmit dhe hyrjes në demokraci. Cilët janë përgjegjësit e këtij dështimi? Lucas i tregon me gisht ata nga përtej oqeanit: Falë politikanëve të saj, Shqipëria u bë një tokë nga ku njerëzit duan të largohen.

Ndërsa dje sollëm në vëmendje të lexuesit të DITA-s disa opinione dhe komente të mëhershme të gazetarit të njohur Peter Lucas për zhvillimet shqiptare, pardje i nisa disa pyetje të tjera zotit Lucas për zhvillimet aktuale politike që po ndodhin pas zgjedhjeve të 25 prillit. Dy ishin çështjet për të cilat bisedova me zotin Lucas: shpallja persona non grata nga Departamenti i Shtetit të zotit Berisha dhe familjes së tij dhe çfarë pritet të ndodhë me Ilir Metën, pasi po ndërmerren njëri pas tjetrit hapat për shkarkimin e tij.

“Unë nuk jam gjykatës, por nuk mendoj se padia e Berishës kundër Sekretarit Blinken ka shumë mundësi për sukses”. Kjo është përgjigja e gazetarit dhe shkrimtarit Peter Lucas lidhur me padinë që ka bërë Sali Berisha kundër Sekretarit amerikan të Shtetit. Për Ilir Metën thotë se fatin e tij ia lë në dorë popullit shqiptar, kurse për politikanët e korruptuar thotë me ironi se “burgu i Guantanamos nuk është aq i madh sa për të futur në të të gjithë politikanët rebelë të Ballkanit të cilët u bënë të pasur brenda natës”

– Miku im Peter, javët e fundit ka patur zhvillime interesante në Shqipëri dhe priten zhville të tjera. Ish-presidenti dhe ish-kryeministri Sali Berisha dhe familja e tij janë shpallur Persona non grata nga Sekretari amerikan i Shtetit, zoti Blinken.

– Miku im i dashur Xhevdet! Duhet të më kuptoni se normalisht nuk do të komentoja për politikën shqiptare. Megjithëse kam qenë në Shqipëri shumë herë dhe kam shkruar për të në tre libra, një skenar si dhe shumë artikuj, unë nuk jetoj atje. Por unë e njoh Sali Berishën, pasi e takova në 1989 – 1990 kur ai për herë të parë u shfaq si një udhëheqës i mundshëm në Partinë Demokratike pas rënies së komunizmit. Unë u takova me të shumë herë gjatë viteve kur ai erdhi në pushtet. Unë fola me të për demokracinë, lirinë, të drejtat civile dhe njerëzore, politikën, gazetarinë, etj. Unë madje e prita kur ai vizitoi Shtetet e Bashkuara si president në 1995. Por ai kurrë nuk më dëgjoi. Ai ishte një figurë autoritare në zemër. Në atë kohë flitej për kthimin e Shqipërisë në një lloj Zvicre. Por falë politikanëve të saj u bë një tokë që njerëzit duan të largohen. Kam shkruar shumë për transformimin e Berishës nga një politikan i cili foli për lirinë dhe demokracinë në një figurë autoritare në librin tim “Rrumpalla, Kuturisje nëpër Shqipëri” i cili është përkthyer para disa vitesh edhe në shqip, dhe mbase gjendet ende në qarkullim. Duhet të them se ajo që më shqetëson në lidhje me deklaratën persona non grata është koha e saj. Unë shkrova një kolumn në gazetën Boston Globe javën e kaluar ku komentoja lidhur me vendimin e Departamentit të Shtetit për të shpallur Persona non grata Berishën dhe familjen e tij. Kjo do të thotë se ai nuk mund të hyjë më këtu, ndonëse në të shkuarën, kur ishte president, është pritur me krahë hapur. Por kjo gjë ndodhte kur Berisha u bë lideri i parë demokrat i një vendi të vogël ish-komunist në periudhën 1991-1992.

– Pse pikërisht tani? Sali Berisha nuk pranon asnjë nga akuzat që i bëhen nga Departamenti i Shtetit dhe ka hedhur në gjyq në Paris Sekretarin Blinken për shpifje. Sa normal iu duket një akt i tillë nga Berisha dhe sa shanse ka ai të fitojë një gjyq të tillë?

– Pse tani? Unë mendoj se edhe politikanët evropianë mund të jenë habitur nga ky zhvillim, të tjerë, të cilët e njohin situatën politike në Shqipëri dhe në Ballkan, nuk u habitën aspak. Reagimi i tyre ishte: “Mrekulli! Por pse e vonuat kaq shumë këtë vendim? Pse pas gjithë këtyre viteve që kishin kaluar ishte Berisha, – një ish president dhe kryeministër – i cili ka qenë jashtë pushtetit për tetë vjet – papritur dhe papritur u shpall persona non grata? Duhet të ketë një histori pas saj. Unë nuk jam gjyqtar apo avokat por nuk mendoj se padia e Berishës ka shumë mundësi për sukses. Sipas deklaratës së lëshuar nga sekretari Blinken, “në cilësinë e tij zyrtare, veçanërisht si Kryeministër i Shqipërisë, Berisha ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitime personale dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij në kurriz të besimit të publikut shqiptar në institucionet e tyre qeveritare dhe zyrtarët publikë”. Shqipërinë e kam vizituar në vitin 1986, kur komunistët ishin ende në pushtet. Më pas vizitova dhe kryeqytetin e vendit, Tiranën dhe atje takova dhe shkrova për Berishën kur ai u “shkëput” me Partinë e Punës së Shqipërisë, duke qenë se kësaj partie po i vinte fundi. Ai fliste anglisht dhe thoshte ato që duhej të thoshte në lidhje me demokracinë. Ai sulmonte komunistët, ndonëse kishte qenë një i tillë edhe vetë. Ndërkohë, ai e konsideronte veten edhe si një admirues i madh i John F. Kennedy. Pasi erdhi në pushtet, abuzimet e tij ishin të panumërta. Ai, familja dhe miqtë e tij grumbulluan pasuri marramendëse, ashtu siç kishin bërë edhe shumë ish komunistë të tjerë në Ballkan, të cilët kishin ardhur në pushtet pas rënies së komunizmit.

– A duhet të veprojnë institucionet shqiptare të drejtësisë pas këtij qëndrimi të fortë nga Shtetet e Bashkuara? Ndërkohë parlamenti shqiptar ka marrë nismën për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, për thirrje të forta luftënxitëse para dhe pas zgjedhjeve të 25 prillit. Zoti Meta është gjithashtu ndër të rrallët politikanë që i doli hapur në mbrojtje Sali Berishës duke i quajtur “fletërrufe” dhe shpifje të ndyra akuzat e zotit Blinken. Si mund ta komentoni këtë qëndrim të Ilir Metës?

– Së pari ashtu si e theksova pak më parë, unë nuk jam gjykatës, por nuk mendoj se padia e Berishës ka shumë mundësi për sukses. Zoti Blinken po vepron si një zyrtar i qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Kurse të ardhmen e Ilir Metës do t’ia lë popullit shqiptar.

– A duhet të ketë politikanë të tjerë shqiptarë që duhet të hetohen për korrupsion dhe dhunim të demokracisë?

Po ju përgjigjem me ato që kam shkruar në Boston Globe: Ai, pra Berisha, familja dhe miqtë e tij grumbulluan pasuri marramendëse, ashtu siç kishin bërë edhe shumë ish komunistë të tjerë në Ballkan, të cilët kishin ardhur në pushtet pas rënies së komunizmit. Ndërkohë që Berisha mund të jetë shënjestruar nga Departamenti i Shtetit, e vërteta është se burgu i Guantanamos nuk është aq i madh sa për të futur në të të gjithë politikanët rebelë të Ballkanit të cilët u bënë të pasur brenda natës.

– Faleminderit, zoti Lucas për këtë bashkëbisedim ekskluziv në DITA. Jeni i mirëseardhur gjithmonë!

– Faleminderit juve, duke ju uruar gjithë të mirat!

****

Obama, shko në Shqipëri. Mbase të ndërtojnë një fushë golfi! Dhe një statujë…

Një shkrim satirik i Peter Lucas, shkrimtarit dhe gazetarit shqiptaro-amerikan, në faqet e gazetës Lowell Sun në nëntor 2015

Në Shqipëri nuk ka fusha golfi. Por nëse ai vjen, mund ta ndërtojnë një. “Ai”, sigurisht është Barak Obama, presidenti golfist i Shteteve të Bashkuara. Fatkeqësisht për shqiptarët dhe mbase edhe për Obamën, ai nuk do vijë, dhe koha po mbaron. Obama jo vetëm që po luan për “vrimat e fundit” të presidencës së vet, por fushën e golfit shqiptar ai mund ta shohë nga larg.

Gjithçka i mbetet të bëjë, është të shmangë nja dy bunkerë (gropa rëre në golf) në vrimën e 18-të të këtij kursi imagjinar golfi që shqiptarët do kishin ndërtuar, nëse ai do vendoste të shkonte. Dhe kjo sepse shqiptarët do t’i kishin vendosur bunkerë prej vërteti, nga ato mijërat që diktatori komunist Enver Hoxha ndërtoi anembanë vendit të vogël ballkanik, e që ende ndotin panoramën e kësaj demokracie të brishtë.

Mesa duket, ideja e bunkerëve prej betoni ishte që bënin lojën e golfit më interesante dhe të paparashikueshme, teksa topat e golfit do kërcenin nga njëri bunker tek tjetri, në vend që të ngecnin në rërë. Edhe në Tv do dukej më mirë.

Ndërkohë me ndryshimet klimatike, Tirana International Golf Club do planifikonte të përdorte dhitë për të shkurtuar barin e fushës, në vend që të zhurmonin korrëset e barit.

Në fakt, mësohet se USAID kishte miratuar një projekt “Golfi dhe dhia” në vend, sipas të cilit fermerë të papunë do furnizoheshin me tufa dhish për të bërë krasitjen. Njëherësh, përveç punësimit të barinjve, këta të fundit mund të mësonin lojën duke vëzhguar lojtarët dhe kështu, me disa grante dhe trajnime, do bëheshin edhe vetë lojtarë golfi.

Por shqiptarët nuk dinë shumë për golfin. Ashtu si kusuri i Europës, dhe gjithë bota, loja e tyre është futbolli. Por ata e dinë që Obama është një golfist i apasionuar që i ka dhënë shumë kësaj loje.

Madje disa vëzhgues besojnë se Obama e ka shpëtuar golfin profesionist, dhe kjo do të jetë një pjesë domethënëse e trashëgimisë së tij politike, ashtu si Obamacare, kur ai të lërë detyrën.

Sipas tyre, daljet e shpeshta për golf, të ndjekura fort nga mediat, e mbajnë lojën gjallë atëherë kur interesi kishte rënë ndjeshëm pasi Tiger Woods pësoi atë krizën, prej së cilës ende s’e ka marrë veten.

Dhe Obama e ndjeu për detyrë të bënte përpara dhe të shpëtonte lojën, duke e mbajtur interesin gjallë derisa lojtarë të rinj dolën në pah.

“Po pati klube golfi, do të vij”, i tha Obama botës mbarë. Dhe kështu bëri, duke luajtur më shumë lojra golfi se të gjithë presidentët e tjerë së bashku. Vetëm në shkurt-marsin e kaluar, taksapaguesit “bënë hasha” 4.4 mln dollarë për kostot golfiste dhe aktivitetet e mbledhjes së fondeve. Një tjetër trashëgimi domethënëse e Obamës.

Që atëherë, Obama u tërhoq modestisht për t’ua lënë vendin lojtarëve të rinj. Por kjo modesti nuk i bën punë në Shqipëri. Shqiptarët e duan Amerikën dhe presidentët e saj, pavarësisht se cilët janë. Ata do t’i jepnin Obamës një pritje madhështore, ashtu siç bënë me presidentit Xhorxh Bush, që u bë i pari president amerikan në detyrë që viziton Shqipërinë postkomuniste, në 2007-n.

Shqipëria ishte ndër kombet e parë që iu bashkua thirrjes së Bushit për “Koalicionin e Vullnetit” për të mbështetur pushtimin e Irakut në 2003 (Si vajti ajo punë, meqë ra fjala?) Shqipëria u bë anëtare e NATO-s në 2009-n. Dhe Bush ende nuk e kishte lënë Shqipërinë – pasi humbi orën e dorës – kur shqiptarët i ngritën një statujë në Fushë Krujë, tashmë një atraksion turistik.

Ora u zhduk nga kyçi i Bushit, kur ai u zhyt në një prej turmave që ishin mbledhur atë ditë për të shtrënguar duart. Ende nuk është gjetur.

Edhe shqiptarët e Kosovës fqinje kanë ngritur një statujë për presidentin Klinton në Prishtinë, kryeqyteti, si mirënjohje për rolin e tij në bombardimet e NATO-s gjatë spastrimit etnik të Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës, në 1998-99.

Ka edhe një statujë të presidentit Uillson në qendër të Tiranës. Kjo, si mirënjohje për rolin e Uillsonit në garantimin e kufijve aktualë të Shqipërisë pas Luftës së Parë.

Pra, ka precedentë për këtë president. Paçka se nuk do të jetë presidenti i parë që viziton këtë vend, ai do të ishte presidenti i parë që luan golf atje. Dhe kjo nuk është pak, sidomos kur kërkon të pasurosh rezymenë tënde të golfit para se të lësh presidencën.

Dhe me këtë rast, mund të gjejë dhe orën e humbur.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT