Shteti grek i dha dritën jeshile Shqipërisë si vend i sigurt por ende nuk vendos të hapë kufijtë

Lajmi i futjes së Shqipërisë në listën e vendeve të sigurta, përveç shqiptarëve duhet të gëzonte edhe fqinjët tanë në rajon. Por këtu ndodhi edhe çudia, kur Greqia, një nga vendet që dha votën pro Shqipërisë, heziton të hapë kufijtë me ne.
Ka kaluar më shumë se një vit nën izolim dhe Shqipëria regjistroi vetëm 2 persona të infektuar dhe asnjë humbje jete në 24 orët e fundit. Ndërsa shteti grek, edhe pse ka më shumë të infektuar dhe viktima, sërish mban në fuqi “ligjin e luftës” ndaj Covidit.
Drejt Greqisë, nga pika kufitare e Kakavijës mund të udhëtojnë vetëm 1,5000 persona dhe këta janë shqiptarë me leje qëndrimi dhe punëtorët sezonalë.
Absurditeti qëndron edhe në faktin që Greqia njohu të gjitha vaksinat kundër koronavirusit, përfshirë edhe ato që nuk janë miratuar ende nga EMA, pra edhe ata që kanë bërë vaksinat kineze apo ruse.
Ndërkohë ambasada greke në Tiranë ka bërë të ditur se të gjithë ata që do të kalojnë kufirin, do ti nënshtrohen testimit me tampon dhe qëndrimi një natë në hotel deri në daljen e përgjigjes. Nëse tamponi del pozitiv, udhëtari do të karantinohet për 14 ditë duke u monitoruar nga mjekët grekë. Fluturimet do të jenë të limituara vetëm në aeroportet e Athinës dhe Selanikut.