Bashkia Himarë rriti me 50% çmimet për stacionet e plazheve, Klosi: I ka të larta, duhet unifikim të çmimeve

Një ditë më parë Gazeta “Shqip” vërtetoi faktin se bashkia e Himarës kishte rritur me 50% çmimet për bizneset për stacionet e plazheve dhe kjo rritje në një kohë krize dhe pandemie Covid.

Ministri i Turizmit, Blendi Klosi i ftuar në emisionin “Breaking” deklaroi se në dijeninë e tij nuk ka rritje taksash të vendosura nga ana e pushtetit lokal në Himarë dhe në bashkitë tjera që menaxhojnë bregdetin shqiptar.

Ai kërkoi që të ketë një ballafaqim me pushtetin lokal dhe biznesmenëve në lidhje me këtë debat.

“Të ketë një ballafaqim me pushtetin vendor, tarifa vendoset nga pushteti lokal, në mënyrë ekskluzive. Duhet të ketë një ballafaqim, nuk është tarifë që e vendos shteti, shteti nuk përfiton asnjë të ardhur nga tarifat e plazheve. Në dijeni time asnjë nga bashkitë nuk ka rritur tarifat, edhe pse janë në dorë të pushtetit vendor”, deklaroi Klosi.

Klosi e pranoi se bashkia e Himarës ka çmimet më të larta se ato të pushtetit tjetër vendor në lidhje stacionet e plazheve, si në Velipojë apo në Durrës

“Ajo që është për të diskutuar dhe mbetet si problem, bashkitë e bregut të detit dhe liqenit kanë tarifa të ndryshme. Bashkia e Himarë është një që nga tarifat më të larta, ky ka qenë vendimi i tyre që kanë menduar me synimin drejt një plazhi elitar. Ka ardhur koha mbase që për vitin tjetër të ketë një unifikim, të mos ketë çmim tjetër në Velipojë dhe shumë më ndryshëm se në Durrës dhe në bregdetin jugor”, tha Klosi.

Sipas dokumenteve dhe faturave që disponon Gazeta “Shqip”, bizneset e vogla detyrohen të paguajnë për hapësirën e shfrytëzimit së plazhit 750 lekë për metër katrorë, ndërsa në kohë normale kjo tarifë ishte 525 lekë/m2. Kjo rritje me 50% të vlerës, shkakton një goditje tjetër për biznesin i cili ka vuajtur pasojat afatgjata të krizës së pandemisë së koronavirusit.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT