Propozimi amerikan / Ujmani të menaxhohet nga Kosova e Serbia sipas traktatit SHBA-Kanada për lumin e Kolumbisë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dorëzuar Kosovës dhe Serbisë propozimin e tyre se si mund të menaxhojnë bashkarisht Liqenin e Ujmanit, një prej pikave më të nxehta që është përfshira disa herë në dialogun mes dy vendeve.

Zëri i Amerikës thotë se në raportin prej 53 faqesh, që është dorëzuar të mërkurën janë dhënë disa propozime që kanë të bëjnë me përmirësimin e infrastrukturës ujore dhe themelimin e një komisioni që do të trajtonte gjendjen në Lumin Ibër që është furnizuesi kryesor i liqenit artificial.

Si shembull, SHBA propozon traktatin që ka nënshkruar në vitin 1961 me Kanadanë për menaxhimin e përbashkët të ujërave të lumit Kolumbia.

“Ne propozojmë që Serbia dhe Kosova të marrin në konsideratë bashkërendimin teknik të zhvilluar nën Traktatin SHBA-Kanada rreth lumit Columbia”, thuhet mes tjerash në raport.

Raporti amerikan është pjesë e zotimeve të nënshkruara në marrëveshjen ndërmjet të dyja vendeve, të nënshkruar më 4 shtator të vitit të kaluar në Shtëpinë e Bardhë nga Avdullah Hoti dhe Aleksandër Vuçiç me Presidentin Donald Trump.

Të dyja palët qenë pajtuar në takimin e 4 shtatorit në praninë e ish presidentit Donald Trump për një studim fizibiliteti, “me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë”.

Liqeni që serbët e quajnë Gazivodë, është ndërtuar në vitet e 80-ta dhe një pjesë e tij shtrihet në Serbi dhe ka rëndësi për furnizimin më ujë të termocentraleve të Kosovës dhe në muajt e verës edhe të disa komunave të Kosovës. përfshirë edhe kryeqytetin. Ai është është një nga pikat e nxehta të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Përfshirja e fizibilitetit të këtij liqeni në dakordimin e 4 shtatorit 2020 nxiti reagime në Kosovë. Kritikët thonë se liqeni është pjesë e Kosovës dhe se nuk duhet të diskutohet me Serbinë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT