A do të dënohet me burg ish-kryeprokurori? Caktohet trupa e Apelit për Llalën

Gjykata e Apelit të GJKKO ka caktuar trupën gjykuese për të shqyrtuar ankimin e paraqitur nga ish-kryeprokurori Adriatik Llalla në lidhje me vendimin e dhënë për dënimin me burg prej dy vitesh, si dhe sekuestrimin e pasurive.
Kryesuese dhe relatore e trupës është Nertina Kosova, ndërsa anëtare janë Saida Dollani dhe Dhimitër Lara.
Në shkallën e parë, më 20 maj, Llalla u dënua me 2 vite burg dhe me 5 vite heqje e të drejtës për të kandiduar në funksione publike.
Gjykata vendosi për sekuestrimin e mbi 20 mijë metra katrorë tokë në pronësi të ish-kryeprokurorit dhe një apartamenti në Durrës. Sipas Gjykatës, Llalla nuk ka pasur burime të ligjshme. Ai u hetua edhe për pastrim parash, por në fund u dënua vetëm për fshehje të pasurisë.
Ish-prokurori i përgjithshëm është një prej 4 personave publikë të cilëve u është ndaluar hyrja në SHBA, bashkë me Sali Berishën, Tom Doshin dhe Vangjush Dakon.