Ngjela: SHBA e vendosur për të mbajtur Shqipërinë larg ndikimit rus, administrata Biden garanci për integrimin

Avokat Spartak Ngjela ka ripërsëritur edhe njëherë ditën e djeshme se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të vendosura për të mbajtur Shqipërinë larg ndikimit dhe influencave të Rusisë. Përmes një statusi në rrjetet sociale, avokat Ngjela shprehet se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është edhe interes i madh amerikan, ndërsa theksoi se kjo gjë e forcon së tepërmi pozitën e SHBA-ve në Ballkanin Perëndimor në konfliktin e saj me politikën ruse.

Sipas tij, kjo qasje në një farë mënyre do të jetë një politikë e re. “Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, është edhe interes i madh amerikan. Por, në këtë kohë, pas rrëzimit të ish-presidentit Trump, çështja shqiptare, e cila ishte errësuar prej Trump-it, erdhi për t’u lartësuar bashkë me ndryshimin drastik të politikës amerikane, me një frymë të re bashkëpunimi parësor kundrejt Bashkimit Europian.

Si pasojë e këtij procesi, anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, e forcon së tepërmi pozitën amerikane në Ballkanin Perëndimor, në konfliktin e saj me politikën ruse. Dhe kjo do të jetë një politikë e re. Por, në këtë kohë, në funksion të pranimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, është edhe imponimi me forcë që politika amerikane, me Joe Biden, i bëri Rusisë. Takimi Putin-Biden e tregoi hapur dhe qartë këtë. Nisur nga pozitat e forcës ndaj Rusisë dhe pas rrëzimit të Trump-it, tani çështja shqiptare në Ballkanin Perëndimor kuptohet se është një çështje kryesore”, shkruan ai.

Më tej gjatë analizës së tij, avokat Ngjela zbulon çfarë pritet të ndodhë deri në shtator me Shqipërinë. “Këtu vjen tani dhe arsyetohet edhe ndërhyrja që politika amerikane, me anë të sekretarit të shtetit Blinken, i bëri këto ditë kërkesë të veçantë Bashkimit Europian në lidhje me çeljen e negociatave me Shqipërinë. Pikërisht për këtë, kjo kohë, deri në muajin shtator 2021, pritet të jetë shumë e rëndësishme për Shqipërinë. Dhe sigurisht, në favor të saj”, nënvizoi Ngjela.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT