Ftohtësia e ministrit, klasifikon ngjarjet makabre si “të zakonshme” dhe refuzon përgjegjësinë morale

Për ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi, policia e shtetit nuk ka ndonjë përgjegjësi për dy ngjarjet e fundit që tronditën Shqipërinë; aksidenti me katër të vdekur në aksin Fier-Vlorë dhe sulmi me armë po me katër të vdekur në Velipojë.
Argumenti i ministrit ishte se “policia nuk mund të ndjekë çdo makinë apo të parandalojë një krim në mesnatë mes dy fqinjësh”.
I qetë, i qeshur, shpesh edhe thumbues ndaj gazetarëve, ministri madje shkoi edhe më tej, kur tha se nuk ndjen as përgjegjësi morale.
Duke iu referuar rastit tronditës ku një familje nga Patosi, që kishte ardhur për pushime nga Greqia, u shua në aksin Fier-Vlorë pasi u përplas nga pas nga një “kamikaz” me 200 km/h, Çuçi u shpreh se “ngjarje të tilla janë të zakonshme”.
Për ta bërë edhe më bindës argumentin e tij, ministri bëri një krahasim me periudhën e komunizmit.
“Si njëri do të doja të mos kishte asnjë vrasje apo aksident, këtë e dëshiroj, por kjo nuk ka për të ndodhur. Nuk ka ndodhur as në diktaturë. Kishte pak mjete, por kishte aksidente me vdekje. Janë gjëra që ndodhin. Nuk mund të kem përgjegjësi morale për një gjë të zakonshme. Jo në kuptim negativ të fjalës. Kështu që nuk ndjej ndonjë përgjegjësi. Dua të ruaj gjatë mandatit tim këto statistika dhe këtë trend të aksidenteve në ulje”, tha Çuçi.
Por ajo që tërhoqi vëmendjen në deklaratën e ministrit, ishte ftohtësia me të cilën e i trajtoi këto ngjarje, ku 5 nga viktimat ishin krejtëisht të pafajshëm. Çuçi nuk ndjen përgjegjësi morale as për vrasjen e 20 vjeçarit, Musaen Zeneli, i cili humbi jetën ditën e parë të punës, ndërsa në xhep kishte vetëm 30 lekë. Por ministri nuk përgjësi as për 9 vjeçaren dhe motrën e saj 14 vjeçare, që u shuan bashkë me prindërit, teksa kishin ardhur për të takuar gjyshërit dhe për të kaluar disa ditë pushimi në Shqipëri. Sipas ministrit, humbja e jetës së tyre është “ngjarje e zakonshme”.
Policia nuk ka faj, por paralajmëron furtunë
Por edhe pse hoqi përgjegjësinë e policisë, Çuçi nga ana tjetër paralajmëroi furtunë në radhët e drejtuesve në qarqe. Nismë paradoksale, pasi nëse puna do ishte pozitive, siç u shpreh ministri, lëvizjet e drejtorëve do ishin të paarsyeshme.
“Do të nisë një ndryshimi i thellë në nivel qarku dhe do shtrihet në çdo komisariat. Do të futet hetimi i të ardhurave për makinat e shtrenjta që kapen në kundërvajtje të përsëritur. Kamera trupi për policët. Do jetë komisariati digjital për shkelësit e ligjit. Ne jemi të vetëdijshëm për nevojat e shqiptarëve. Të gjithë do të prekim ndryshimin e mëtejshëm në policinë e shtetit”, tha ministri.
Fajin e kanë gjykatat dhe prokurorët
Por situata e rëndë kriminale nuk është pa fajtor dhe për ministrin gishti duhet drejtuar nga gjykatat dhe prokuroritë e rretheve. Ministri theksoi se mbi të gjitha duhet “të reflektojnë ata prokurorë e gjykatës që vazhdojnë me parimin KÇK”.
Përtej të metave që ka Policia e Shtetit, Çuçi solli edhe disa raste, ku sipas tij, gjyqtarët kanë dhënë masa të lehta për persona me precedentë të rrezikshëm penalë.
“Ne kemi shtrënguar masat për armëmbajtje pa leje. Në disa qytete janë ndaluar tri shtetas me precedent të rëndë penal, madje në një rast, arma e zjarrit kishte dhe fishekë në fole gati për qitje, fatkeqësisht Prokurorët dhe Gjyqtarëve, si ajo e Fierit dhe në Vlorë, përkundër kushteve të padiskutueshme të flagrancës kanë dhënë masa lehtësuese, ku minimumi për këto vepra penale është 3 vite.
Vendimet e gjykatësve të tjerë për plagosjen e disa personave janë në gjykimin tonë skandaloze dhe në keqinterpretim të ligjit. Duhet një reagim të shpejtë të Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë. Këto janë shembuj ulëritës, të asaj, që si duhet të jetë forca e ligjit.”
Çuçi “cakton” veten ministër edhe pas shtatorit
Ministri jo vetëm që nuk kishte çuar ndër mend të jepte dorëheqjen, por u shpreh i bindur se do të jetë pjesë e qeverisë së re. Çuçi la të kuptohet se do të jetë në kabinetin e Ramës edhe pas shtatorit, por pa dhënë ndonjë argument bindës se pse.
“Do kemi raste edhe pas shtatorit meqë e ke merak”, i tha Çuçi njërit nga gazetarët që kërkoi të bënte një pyetje të fundit, në përfundim të konferencës./Gazeta SHQIP