A do të ketë shkëmbim të territoreve me Serbinë, flet presidenti Thaçi
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është deklaruar edhe njëherë për çështjen e dialogut me Serbinë, me ç’rast iu ka bërë thirrje partive politike që të angazhohen në fazën finale të këtij procesi, raporton “Zeri.info”.
“Edhe sot kërkoj nga partitë parlamentare, nga kuvendi, që t’i marrë përgjegjësitë e veta. Më vjen keq që partitë janë duke u vonuar, pasi që koha po ecë. Roli përfundimtar pas arritjes së secilës marrëveshje i takon kuvendit. Secili duhet ta luajë rolin e vet”, ka shtuar ai.
Ndërkohë, i pyetur rreth mundësisë së shkëmbimit të territoreve me Serbinë, respektivisht mundësisë së këmbimit te veriut me Luginën e Preshevës (ide të cilën e ka përmendur shpeshherë kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri), Thaçi duke mos saktësuar, ka thënë se do të respektohet mendimi i shqiptarëve të Luginës.
“Për një ide të tillë ka kohë që po flasin njerëz të akademisë, të shoqërisë civile, të politikës. Unë i dëgjoj me vëmendje deklarimet e secilit lider politik. Do ta shikoj me vëmendje, e kuptoj shqetësimin e secilit lider për shqiptarët në Preshevë- Medvegjë dhe Bujanovc. Natyrisht rrëfimet e tyre janë prekëse, rrëqethëse. E drejta për të ardhmen e tyre iu takon atyre dhe opinioni i tyre është i respektuar. E di që Haziri ka kontakt me ta..”, ka nënvizuar kreu i shtetit./Zëri/ZgjohuShqiptar.info