“Haga hap kapitull të ri”, Dendias flet për marrëdhëniet Shqipëri-Greqi

Adresimi i çështjes së detit mes Shqipërisë dhe Greqisë në Gjykatën e Hagës interpretohet nga Athina si një kapitull i ri që do të forcojë edhe më tej marrëdhëniet mes dy vendeve.
Gjatë një forumi të Fondacionit të Shoqërisë së Hapur në Shqipëri për marrëdhëniet greko-shqiptare, Dendias ka theksuar se dërgimi i çështjes së detit në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë ishte një hap i madh për të dyja vendet.
“Ky vendim është shembullor në atë se si çështjet e rëndësishme mund të zgjidhen kur të dy palët janë përqendruar në respektimin e ligjit ndërkombëtar dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë”, tha ministri i Jashtëm grek.
Dendias ka deklaruar se Greqia dhe Shqipëria hapin një kapitull të ri në marrëdhëniet e tyre bilaterale, me vendimin për të referuar caktimin e kufijve detarë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.
Ai përmendi lidhjet historike midis Greqisë dhe Shqipërisë, kontributin e minoritetit grek, si dhe të shtetasve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi, në krijimin e një ure të qëndrueshme miqësie midis dy vendeve.
Dendias përsëriti gjithashtu se Greqia mbështet perspektivën europiane të Shqipërisë, ndërsa përmendi dhurimin nga Greqia të 20,000 vaksinave anti-Covid.