“Sherri” Grenell dhe Çitaku, gazetari shqiptar: Injorant që manipulon historinë

Nuk kanë të ndalur përplasja mes ish-ambasadores së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku dhe ish-emisart special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Përplasja e tyre erdhi pas deklaratës së Grenell për festën e Vidovdanit, ku deklaroi se po përkujtohen “martirët e shenjtë serbë”.

“Sot ne ndërrojmë heronjtë e Vidovdanit. Në këtë ditë më 1389, beteja kundër Otomanëve në Kosovë filloi. Sot është një ditë përkujtimi për Shën Princ Lazarin dhe martirët e shenjtë serbë”

Pas kësaj deklarate të çuditshme ka reaguar ish-ambasadorja Çitaku. Me anë të një mesazhi në rrjetet sociale ajo tha se Beteja e Kosovës nuk ishte e serbëve dhe në të mori pjesë ushtria Ballkanase kundër Perandorisë Osmane.

“Nuk ishte betejë e serbëve, ishte ushtria e Ballkanit që luftoi kundër pushtuesit Osman. Kjo betejë u bë miti themelor që vazhdon të ushqejë nacionalizmin serb që nga shekulli i 19-të duke na mbajtur të gjithëve peng”.

E ky reagim i ish-ambasadores nuk i ka pëlqyer Grenell, i cili iu kundërpërgjigj duke thënë se ajo po ofendon shumë, sipas Zërit.

“Ju ofendoni shumë. Duhet të jetë rraskapitëse gjetja e një inati në gjithçka. Njerëzit duan punë dhe zgjidhje – zgjasni dorën”. Por, Vlora Çitaku nuk e la me kaq. Ajo reagoi duke thënë se edhe ajo do punë dhe zgjidhje, por, që qëndrimi i tij për Betejën e Kosovës ishte historikisht i pasaktë.

Ky postim i Grenell ka sjellë reagimin e fortë të analisti Enver Robelli, i cili i kundërpërgjigjet në Facebook, duke e akuzuar se po luan rolin e propagandistit serbomadh, që nuk merr vesh asgjë nga historia, por luan rolin e shërbëtorit të Aleksandar Vuçiqit dhe manipuluesit të historisë.

“Paska folë Richard Grenelli në Twitter si me qenë mitingash në tubimin e Sllobodan Millosheviqit në Gazimestan më 28 qershor 1989. I paska përkujtuar «heronjtë e Vidovdanit», «betejën kundër otomanëve», «martirët e shenjtë serbë» dhe «Shën Car Lazarin».

Po të qëllonte Grenelli në Gazimestan më 1989, do t’i bashkohej nacionalistëve serbë në bartjen e eshtrave të Car Lazarit nëpër «vendet serbe».

Më 28 qershor 2021 Grenell luan rolin e propagandistit serbomadh. Një injorant që nuk merr vesh asgjë nga historia, por luan rolin e shërbëtorit të Aleksandar Vuçiqit dhe manipuluesit të historisë.

Mos të harrojmë: Richard Grenelli është dekoruar nga një president i Kosovës me Medaljen Presidenciale të Meritave.

Sa i përket historisë: Beteja e Kosovës e vitit 1389 nuk është vendimtare për fatin e Ballkanit. Vendimtare është Beteja e Dytë e vitit 1447 e Mbretërisë Hungareze kundër Perandorisë Osmane. Në atë betejë serbët nuk morën pjesë, ata ishin vasalë të Sulltanit.

Por një propagandisti të së djathtës ekstreme amerikane kjo nuk i intereson. Para një viti ky dëshironte të zgjidhte konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë”, shkruan Robelli.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT