“Kurti të mbajë qëndrim konstruktiv në dialogun me Serbinë”, Von Cramon: Të hiqen vizat me Kosovën

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola Von Cramon i ka kërkuar qeverisë së Kosovës të mbajë një qëndrim konstruktiv në dialogun me Serbinë, ndërsa i bëri thirrje BE që të liberalizojë sa më parë vizat me Kosovën.
Duke folur në një konferencë në Prishtinë, Von Cramon ka bërë me dije se me Kurtin ka diskutuar në përgjithësi për dialogun Kosovë-Serbi, por edhe integrimin euro-atlantik të Kosovës.
“Po kemi biseduar për dialogun dhe tërë portofolin e dialogut. Në fillim të kësaj faze të dialogut, presim nga të dyja palët që të rrisin kërkesat e tyre. Unë shpresoj që në javët e muajt e ardhshëm do të shohim një afrim të qëndrimeve. Kjo është diçka që mund të bëhet vetëm përmes bisedimeve”, u shpreh Von Cramon.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian ka folur edhe për çështjen e liberalizimit të vizave. Ajo tha se Kosova i ka përmbushur kushtet.
“Shpresoj që në një moment do të shohim qëndrime më pak të polarizuara. Kam shpresuar që gjatë udhëheqjes së presidencës së BE-së nga Gjermania do ta kemi në agjendë këtë çështje sepse të gjithë e dimë që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret. Në fund të fundit është çështje e Këshillit të Evropës, sepse ka ende disa anëtarë të këshillit që hezitojnë”, ka thënë ajo.