“Ligjin e bëj unë”/ Përplasja e Pjerin Ndreut me policinë, flet pronari i hotelit: Po dëgjonim këngën e Adem Jasharit

Tre efektivë të policisë së shtetit kanë kallëzuar penalisht kryebashkiakun e Lezhës, Pjerin Ndreun me pretendimin se i ka fyer dhe i ka penguar në ushtrimin e detyrës.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes (24 qershor)  në Shëngjin jashtë ambienteve të një hoteli. Punonjësit e policisë kanë kërkuar ndërprerjen e muzikës dhe mbylljen e lokalit pasi kishte kaluar ora policore, por kanë hasur kundërshtinë e pronarit të subjektit.

Pas mbërritjes së forcave Shqiponja për përforcim, ka dalë nga lokali dhe kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, duke i penguar që të ushtrojnë detyrën, me pretendimin se ligjin e bënte ai.

Në lidhje me ngjarjen ka reaguar ekakluzivisht për FaxNews, dhe pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja, i cili shpreh versionin e tij. Pronari pohon se ishte një darkë pune mes kryetarëve të komunave të Kosovës dhe sipas tij kërkesa për vendosjen e muzikës u bë nga ambasadori kosovar i cili kërkoi vendosjen e një kënge të Adem Jasharit.

Efektivët policor sipas pronarit nuk janë ofenduar as nga vetë ai as nga kryebashkiaku Pjerin Ndreu.

“Rreth orës 10 e 10 minuta të darkës është kryer takimi me ca kryetarë komunash dhe ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë dhe nga Bashkia e Lezhës  është organizuar një eveniment në qytezën e Shëngjinit, pas takimit që bëri ministri Klosi ku të gjitha restorantet prezantuan gastronominë  e qytetit, më pas u organizua një darkë me kryetarë të komunave të Kosovës.

Në darkë e siper ambasadori ka kërkuar që të këndohet një këngë patriotike atë të  heroit kombëtar Adem Jashari.

Në ate kohë kanë ardhë dy rapsodë në lokalin tim , unë nuk e quaj muzikë të lartë një këngë folklorike që këndohet me sharki sepse ne jemi edhe malësorë.

Ka ardh një patrullë policie edhe me njoftoi stafi, kam dalë edhe i kam sqaru  që nuk mund ta mbyllim lokalin sepse është aktivitet i Bashkisë dhe në ate moment kam njoftu shefin e bashkisë Zotin Ndreu.

Në atë moment ata thanë që nuk të njohim as ty as kryetarin me një etikë që vetëm policët e Lezhës e kanë dhe pastaj pa pikë turpi kanë sjellë ” Shqiponjat”.

Kishte reagim tendencioz, ose ata kane mendu se jemi opozita , mund të jetë politike nuk e di. Mua nuk më interesojnë këto fjalët nëpër media, fjala biznesmen përkthehet keq këtu, si i fortë dhe mua më erdhi turp për figurën e keqe qëe bëmë, për ata kryetarë që nuk mundëm as një këngë patriotike tu këndonim.

Nuk pati nevojë të behej sherri me fjalë sepse mund të më vinin një gjobë, për këngën e Adem Jasharit dhe nuk e kuptoj kujt po i  shërben e gjithë kjo.

Zoti Ndreu ka qenë me 15 kryetarë komunash brenda dhe ambasadorin dhe s’ka bërë asnjë shkelje

Policët nuk janë ofenduar në asnjë moment. Ajo që më persekuton emrin i biznesit është të përflitet biznesi im dhe ai takim mikpritës që do tregonte rolin tonë në turizëm dhe gastronominë”, tha pronari.

PADIA

Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, u kallëzua penalisht në Prokurori, nga tre efektivë të Policisë së Shtetit, me pretendimin se i ka penguar të ushtrojnë detyrën. Sipas burimeve nga organi i akuzës, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në zonën turistike të Shëngjinit, jashtë ambienteve të një hoteli në vijën e parë të bregdetit. Punonjësit e Policisë kanë kërkuar ndërprerjen e muzikës dhe mbylljen e lokalit, por kanë hasur në kundërshtinë e pronarit të subjektit.

Përballë rezistencës, në ndihmë të patrullës së Shëngjinit ka shkuar forca e posaçme “Shqiponja”, të cilët në debat e sipër kanë tentuar të shoqërojnë në Komisariat pronarin e hotelit, por referuar kallëzimit penal, në ato momente ka dalë nga lokali kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, duke i penguar që të ushtrojnë detyrën, me pretendimin se ligjin e bënte ai. “Kur ne po përpiqeshim për të shoqëruar në Komisariat V.Gj., ata na kanë mbajtur për krahu dhe na kanë shtyrë duke na penguar që ta shoqëronim. Meqenëse përballë nesh u fut kryetari i Bashkisë, i cili na tha se: “Ligjet i bëj unë dhe i vendos unë…”, për të mos krijuar një situatë më të rëndë, ne jemi tërhequr duke njoftuar me radio sallën operative dhe eprorët tanë. Ata nuk ndërmorën asnjë veprim dhe na thanë në telefon: “Lëreni mos u merrni më, largohuni prej aty”, thuhet ndër të tjera në padinë e bërë nga tri efektivët.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT