“Një i ditur në bujqësi mund të fitojë shumë”/ Porosia e Ramës për studentët e Bujqësorit

“Një njeri i ditur sot në bujqësi mund të fitojë shumëfishin e asaj që mund të fitonte jashtë dhe të bënte një punë të zakonshme çfarëdo qoftë”. Ky ishte mesazhi që u përcolli Kryeministri Edi Rama studentëve të Universitetit Bujqësor, duke i ftuar që të mos e braktisin vendin dhe të kontribuojnë në zhvillimin e bujqësisë.
Rama tha se qeveria ka rritur masat mbështetëse për bujqësinë dhe do të vazhdojë t’i rrisë këto masa edhe në të ardhmen.
“Skema nuk do të ndërpritet, por do të shtohet në mbështeje financiare. Objektivi është që nëse sot kemi vënë në shërbim të fermerëve për naftën 10 mln, në 2025 të kemi shkuar në 50 mln. Ne nuk jemi në fushatë se zgjedhjet kanë mbaruar. Sot ju flas në emër të një force që ka marrë mandatin që të vazhdojë dhe në 2025 ne prapë do japim llogari. Të rrisim në mënyrë që të zgjerojmë numrin dhe të stimulojmë fermerët që të bëjnë ato pak gjëra për t’u formalizuar dhe për të hyrë në një sistem ku nuk mund të zhvillohesh me trastë, informalisht, pa NIPT, pa gjë”, tha Kryeministri.
“Sot jemi në kushtet kur kemi jo më synim, por fakt, masat kyçe lehtësuese dhe mbështetëse që fermerët i kanë kërkuar që në fillim të ’90 kur e kuptuan që në këtë sistem të ri bujqësia nuk mund të trajtohet njësoj si gjithë të tjerët se ka nevojë për një aleancë të vazhdueshme mes fermerit dhe shtetit. Ju them studentëve që ky është vendi për të marrë dijet e nevojshme dhe për të fituar me dije dhe punë shumë më tepër sesa një rrogë, duke u bërë një vlerë e shtuar për një sektor që do t’i ketë gjithmonë e më të mëdha nevojat për burime njerëzore”, vijoi Rama.
Synimi i Qeverisë është trefishimi i sipërfaqeve me serra dhe diversifikimi i prodhimit në to.
“Kjo është e mundur se e kemi parë si ka funksionuar dhe çfarë ka sjellë përpjekja për rritjen e sipërfaqeve të serave. Duam të dyfishojmë financimin për të zgjeruar gamën e mbështetjes dhe nga skemat kombëtare, jo vetëm nga BE. Nga janari 2022, Shqipëria rurale do ketë në dispozicion 146 mln euro falë AZHBR-së”, tha Kryeministri.