Vaksinat Pfizer super sekret në Shqipëri, pse nuk veprohet si në shtetet e tjera dhe në vendin tonë

Të kërkosh vaksina Pfizer në Shqipëri të ngjan si dikur me kohën e regjimit kur të duhej një mik për një pako kafe. Shkak është bërë shpërndarja me pikatore e vaksinave Pfizer në Shqipëri, ku zyrtarisht jepet për personat me moshë madhore dhe që janë të sëmurë kronikë. Kjo vetëm në rastet kur lëshohet një rekomandim nga mjeku i familjes, por ky kriter që nuk zbatohet në mënyre strikte.
Ashtu si edhe kontratat sekrete Pfizer që nënshkruan qeveria, edhe numri i personave që kanë kryer vaksinën mbahet sekret. Pfizer veç kategorive vurnerabël si vaksinë i jepet edhe personave të tjerë që kanë “pushtet”.
Qeveria ka paralajmëruar nënshkrimin e një kontrate të 500 mijë dozave vaksinave Pfizzer, e deklaruar që në muajin dhjetor. Sot Parlamenti miratoi kontratën sekrete me kompaninë Pfizer, që sipas ministres Manastirliu “nga ky instrument Covax lidhet me kompaninë Pfizer, nga e cila do të sigurojmë në këtë fazë, 23,400 doza vaksine Pfizer Bion-Tech, të cilat pritet të vijnë së shpejti në Shqipëri”.
Në maj llogariteshin 70 mijë doza, ndërsa mendohet se deri më tani kanë mbërritur rreth 150 mijë vaksina Pfizer dhe se nuk ka ende një shifër se sa persona kanë marrë dozën e parë apo të dytë të kësaj vaksine të super kërkuar.
Por jo vetëm kaq, nuk ka një shifër të saktë, ose nuk jepet se sa persona kanë marrë vaksinën kineze Coronavac, Astra Zeneca, Sputnik apo Pfizer. Kjo mbahet sekret, ashtu si dhe kontratat që Parlamenti ia miraton qeverisë. Shqipëria ka vaksinuar mbi 900 mijë persona, dhe kryesisht me Coronavac. Sipas shifrave zyrtare prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 968,034 doza të vaksinës ndaj COVID19, ndërsa 403,504 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës anti COVID. Por ministria nuk jep në detaje se sa prej tyre kanë marrë Coronavac, AstraZeneca, Pfizer apo Sputnik dhe grupmoshat e tyre.
Në Shqipëri u bë dy ditë vaksinim i hapur nga mosha 18 vjeç e lart, me qëllimin që të kapet shifra e 1 milionë të vaksinuarve, por sipas shifrave zyrtare, janë realizuar rreth 25 mijë vaksinime, ku 17 mijë ishin për herë të parë, duke qenë larg objektivit. Indiferenca tregon se shqiptarët duan më shumë vaksina të tjera si Pfizer dhe AstraZeneca.
Në Shqipëri nuk u veprua në këtë vaksinim të hapur, si në Serbi p.sh, ku qytetarët zgjidhnin vetë se cilën vaksinën donin t’ju injektohet dhe jo me detyrim veç Coronavac apo dhe Sputnik.
Shumë qytetarë e refuzuan në 2 ditët e hapura marrjen e vaksinës Coronavac, e kjo për faktin se duan të udhëtojnë drejt BE-së, Britanisë së Madhe apo drejt SHBA-ve./Gazeta Shqip