Xhejms Bejkeri 30 vite më parë, si trupëzim i Mesisë në Tiranë. Kujtime për vizitën e parë të Sekretarit Amerikan të Shtetit në vitin 1991

Xhevdet Shehu

Kam lexuar gjatë këtyre ditëve përshkrime të ndryshme rreth kësaj vizite që i bë në Tiranë 30 vite më parë. Janë interesante për t’u lexuar, pasi gjithkush ka përjetimet e tij për këtë ngjarje. Jam i sigurt se po të vizitojë Shqipërinë, Sekretari Blinken, madje edhe Presidenti Biden sot, nuk do të pritet me atë entuziazëm që u prit nga ne Bejkeri 30 vite më parë. Ishte pikërisht ajo vizitë e Bejkerit që i hapi rrugën e pushtetit Sali Berishës dhe PD-së. Sepse ishte një kthesë e papërsëritshme historike.

Unë po e tregoj ashtu si e kam përjetuar. Pak më vonë, pas kësaj vizite, do të kisha fatin të isha korrespondenti i parë i Zërit të Amerikës në Shqipëri. Ndërsa ai që përkthente Bejkerin, ishte dora vetë Elez Biberaj, shefi im i mëvonshëm…

**.

Shumëkush shtron pyetjen edhe sot e kësaj dite se cilat janë arsyet e fitores së Partisë Demokratike më 22 mars 1992?

Kësaj pyetjeje i janë përgjigjur analistë dhe politologë të ndryshëm, secili sipas mënyrës së vet, duke radhitur faktorë të brendshëm dhe të jashtëm, ku përmendin gjendjen e rëndë ekonomike në vitet ’80, që çoi në rritjen e pakënaqësisë popullore, luftën e klasave dhe Luftën e Ftohtë, paaftësinë e ish-udhëheqjes komuniste për të bërë ndryshime të thella demokratizuese, faktorin Gorbaçov, përmbysjet në Europën Lindore, ndikimin në rritje të Perëndimit me rrugë e mjete të ndryshme etj., etj. Në mënyrë të pashmangshme, edhe në Shqipëri komunizmi do të kishte të njëjtin fund të palavdishëm si në vendet e tjera të Europës, thonë analistët. Dhe ky konkluzion është i saktë.

Por, veçohet ndërkaq, kontributi që kanë dhënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E, për të kuptuar këtë, mjafton t’i hedhësh një sy të shpejtë historisë së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, sidomos atyre të pas Luftës së Dytë Botërore.

Këto marrëdhënie njohin si ditë të themelimit të tyre 28 korrikun e vitit 1922.

Se si kanë ecur, ngecur e përparuar, këto marrëdhënie gjatë këtij treçerek shekulli, nuk është objekt i këtij shkrimi. Me to janë marrë e merren historianët dhe ata kanë zbuluar faqe vërtetë interesante.

Por, disa momente kulmore të këtyre marrëdhënieve vlejnë të përmenden këtu.

Më 14 nëntor 1946 misioni amerikan largohej gati tinëz nga Shqipëria përmes një deti të egërsuar, ndërsa në fytyrat e diplomatëve pasqyrohej dëshpërimi dhe fyerja … Ata, përfaqësuesit e Amerikës së madhe, po largoheshin të detyruar nga Shqipëria  e vogël, ndoshta edhe me një lloj brerjeje në ndërgjegje, pasi mund të kishin bërë më tepër për këtë vend të prapambetur e për këtë popull të varfër.

(Në Konferencën e Jaltës që u mbajt në shkurt 1945, Tre të Mëdhenjtë e Koalicionit Antifashist – Ruzvelt, Stalin dhe Çërçill, nuk kishin denjuar të diskutonin për statusin e Shqipërisë së pasluftës. Më pas Sekretari i Shtetit, Xhorxh Marshall, e kishte përjashtuar Shqipërinë nga projekti që mori emrin e tij, me pretekstin absurd se gjoja “Shqipëria i kishte dhënë ndihmë pushtimit italo-gjerman të Greqisë  dhe se nuk kishte kontribuar për shkatërrimin e makinës gjermane të luftës”. Ndërsa Qeveria amerikane vononte e vononte vazhdimisht njohjen e Qeverisë shqiptare të dalë nga lufta dhe kundërshtonte anëtarësimin e Shqipërisë në OKB).

Ndoshta shumë gjëra do të kishin rrjedhur ndryshe për shqiptarët në gjysmëshekullin e fundit, në rast se SHBA do të tregoheshin pak më të vëmendshme me Shqipërinë e vogël në vitet 1945-1946…

***

Megjithatë, më mirë vonë se kurrë, thotë fjala e urtë. Në vitet ’90 u hap një kapitull i ri i këtyre marrëdhënieve, pas 45 vjet ngrirjeje…

Akulli u shkri, pra, më në fund. Pritja mashështore që populli i Tiranës i bëri Sekretarit amerikan të Shtetit, Xhejms Bejker, më 22 qershor 1991, përveçse shënonte fundin e kësaj ngrirjeje të gjatë, ishte dhe demonstrim i kthimit triumfal  të amerikanëve në Shqipëri, si për të thënë se largimi i tyre atë ditë të vrenjtur nëntori 1946 ishte thjesht një incident…

Bejkeri u shfaq si trupëzim i Mesisë për shqiptarët në një moment kritik. Aq shumë entuziazëm ngjalli atë ditë ai në Tiranë, saqë kryeministri i Qeverisë së Stabilitetit, Ylli Bufi, i cili vetëm një javë më parë kishte këmbyer teserën e Partisë së Punës me atë të Partisë Socialiste, në mitingun e madh në Sheshin Skënderbej “u konvertua” në demokrat dhe e përshëndeste popullin me simbolin e PD-së, pra me dy gishtat përpjetë në formën e V-së…

E, Bejkeri deklaroi atë ditë në Tiranë se erdhi në Shqipëri me ftesë të mikut të tij Sali Berisha.

Kjo deklaratë u përkthye kështu te shqiptarët: Ja njeriu që duhet të nxirrni në krye. Kjo është alternativa që ka zgjedhur dhe përkrah Amerika. Kini besim te Berisha!…

Disa muaj më vonë, në fushatën elektorale të 22 marsit, ambasadori Rajerson do të bëhej mjaft i njohur në Shqipëri pikërisht se përkrahu Berishën dhe PD në rrugën drejt pushtetit. Ai ishte shpesh i pranishëm në mitingjet e PD-së përkrah Berishës dhe, edhe kur nuk fliste, vetë prania e tij në tribunë fliste më shumë se ligjëratat.

Ambasadori Rajerson kishte ardhur në kohën e duhur dhe nuk i fshihte synimet. Shqiptarët, sidomos ata që po vinin me nxitim në pushtet, e shikonin si njeri të jashtëzakonshëm dhe e adhuronin si perëndi.

Ndërsa në vitet e mungesës së gjatë të diplomatëve amerikanë në Shqipëri, funksionin e ambasadorit e kishte kryer më së miri Zëri i Amerikës…

***

Zëri i Amerikës i ka filluar transmetimet në gjuhën shqipe më 13 maj të vitit 1943, pak më shumë se një vit pas krijimit të këtij institucioni të rëndësishëm që shpejt do të bëhej burim shprese për popujt në kushtet e krizës se përbotshme3). Në atë kohë Shqipëria ishte radhitur në anën e koalicionit të madh antifashist botëror, që kryesohej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Sovjetik dhe Britania e Madhe.

Megjithë qëndrimin dyshues në fillim dhe armiqësor më vonë të Enver Hoxhës ndaj SHBA, Zëri i Amerikës nuk i ndërpreu asnjëherë transmetimet në gjuhën shqipe (sikurse bëri, fjala vjen, BBC për më shumë se një çerek shekulli në gjysmën e dytë dhe më të egër të diktaturës komuniste).

Dhe kjo, doemos, përbën një arsye të fortë për t’i besuar radiostacionit të madh.

Jalta duhej korrigjuar…

Por edhe rajoni përherë i trazuar i Ballkanit, me probleme të shumta kufijsh dhe çështjesh kombëtare të pazgjidhura, ku padyshim çështja shqiptare dallon mbi të tjerat, me Kosovën e mbiquajtur fuçi baruti, ishte një arësye më tepër që Zëri i Amerikës të emetonte pandërprerje dhe me intensitet valët e tij drejt kombeve ballkanikë. Është kjo arsyeja, ndoshta thelbësore, që midis 47 gjuhëve me të cilat flet Zëri Amerikës (1995), shqipja vazhdon të mbetet midis më të rëndësishmeve, një gjuhë e fortë.

Me një durim shembullor, ditë pas dite e vit pas viti, Zëri i Amerikës si ambasador i jashtëzakonshëm e fuqiplot shëtiste nëpër Shqipëri, nëpër qytete dhe fshatra, pa përfillur censurën dhe izolimin e egër të vendit të vogël komunist, duke rritur vazhdimisht simpatizantët e vet.

VOA ishte një ambasador extra, vërtet i çuditshëm dhe i jashtëzakonshëm. Ai nuk ishte si ambasadorët e tjerë protokollarë dhe hijerëndë që jemi mësuar të shohim apo takojmë rëndom. Për të kryer misionin e tij, ai nuk kishte nevojë për letra kredenciale. Ai ishte një ambasador i etertë, magjepsës dhe shokues, autoritar dhe imponues, i padukshëm dhe i pranishëm gjithandej në të njëjtën kohë. Kufijtë dhe muret e izolimit ishin krejt të papërfillshëm për të. Në llojin e vet ai kishte konkurentë minorenë, aq sa mund të thuhet se nuk kishte rivalë dhe, si i tillë, kishte një autoritet të padiskutueshëm. Ambasadori VOA shfaqej zakonisht mbrëmjeve në kutizat magjike të radiove dhe takohej njëherësh, pa dallim, me burrat e shtetit, intelektualët, komunistët dhe kulakët, ish – ballistët dhe ish – partizanët, krijuesit, punëtorët, argatët e deri me fshatarët e zonave të thella. Dhe në çdo takim extra-ambasadori përcillte kumte me përfytyrime kaleidoskopike të Amerikës e krejt Botës së Lirë. Kam dëgjuar se plot njerëz bënin një përgatitje paraprake, visheshin bukur e kriheshin me kujdes, nergut për këtë takim, ndërsa merrnin një qëndrim gati ceremonial, kur nga kutizat magjike përhapej sinjali i gëzueshëm me fjalët:

-Ju flet Zëri i Amerikës!…

Janë bërë proverbiale plot histori se si shqiptarët e kanë dëgjuar për dhjetra vjet Zërin e Amerikës në mënyrë klandestine dhe se si mjaft prej tyre kanë përfunduar në burg vetëm e vetëm për këtë shkak. Mjaftonte një denoncim anonim, një pohim i thënë në mirëbesim, një pëshpërimë, një ndryshim i vogël në sjellje a në mimikë, domethënë një mosbesim gati i padukshëm ndaj pushtetit dhe… i thoshe burgut “hapu!”. E, megjithatë, Zëri i Amerikës dëgjohej gjithnjë e më tepër nga shqiptarët. Ky është fakt.

Veçanërisht, Zëri i Amerikës është ndjekur masivisht në vitet ’80 dhe sidomos pas vdekjes së Enver Hoxhës. Në kushtet e mungesës së plotë të shtypit opozitar, zëri që vinte nga kontinenti i largët shërbente si një shkëndijë ku mund të varnin shpresat e mëdha ata që ëndërronin dhe lusnin përmbysjen e regjimit komunist. Pas fasadës së informacionit të zbukuruar zyrtar, që fliste vetëm për “suksese madhështore të socializmit dhe për dështimet e kapitalizmit”, lajmet që vinin nga Zëri i Amerikës si dhe nga ndonjë burim tjetër nga jashtë, tregonin anën tjetër të medaljes, atë që manipulonte në mënyrë të rafinuar propaganda e shtetit totalitar.

Në atë kohë ATSH nxirrte një buletin të posaçëm me lajme për Shqipërinë, që ishte tepër i rezervuar. Ky buletin, ku fjalët Lajme për Shqipërinë shkruheshin me ngjyrë të verdhë në krye të çdo faqeje, u shkonte i plotë anëtarëve të Byrosë Politike dhe i shkurtuar anëtarëve dhe kandidatëve të Komitetit Qëndror. E në ato lajme përfshiheshin materialet e Zërit të Amerikës si dhe artikuj e reportazhe nga shtypi perëndimor, gjithsesi diskredituese për Shqipërinë komuniste. Praktika e buletinit të posaçëm vazhdoi deri në prill të vitit 1992.

Por, shqiptarët nuk e kanë ndierë nevojën e atij buletini. Ata dëgjonin drejtpërdejt Zërin e Amerikës, fshehtaz natyrisht, sikurse kishin sajuar kanoçet, (një lloj mekanizmi për televizorët) për të kapur stacionet e huaja në TV, ndërkohë që funksiononin zhurmuesit dhe televizorët e fabrikuar në Durrës ishin të destinuar për të kapur vetëm stacionin e Tiranës. Lajmet e Zërit të Amerikës qarkullonin gojë më gojë. E ka thënë Zëri i Amerikës dhe pikë, thoshnin njerëzit si për të mos vënë aspak në dyshim saktësinë e lajmit që kishin dëgjuar.

Sepse Zëri i Amerikës është zëri i Amerikës!

Megjithatë, në këto lajme ndihej, gjithsesi, mungesa e komunikimit të drejtëpërdrejtë të Zërit të Amerikës me realitetin shqiptar. Kjo vinte ngaqë sistemi i telekomunikacionit në atë kohë ishte mjaft i kufizuar dhe, sikurse më ka thënë një specialist i këtij sistemi, thuajse çdo bisedë me jashtë shtetit kontrollohej. Këtë njerëzit e dinin ose e merrnin me mend dhe nuk mund të rrezikonin kokën me biseda të dyshimta, qoftë dhe me të afërmit e tyre, pa le t’u shkonte mendja të flisnin me Amerikën dhe Zërin e Amerikës.

Në pranverën e vitit 1990 u vendos për herë të parë në Tiranë dhe në tre qytete të tjera centrali automatik me lidhje të drejtëpërdrejtë me jashtë shtetit. (Në Zërin e Amerikës e kemi festuar këtë  si një nga ngjarjet më të gëzueshme, – do të më tregonte më vonë Biberaj. – Sado të përpiqej Sigurimi për të përgjuar telefonat, ishte e pamundur të kontrollonte gjithë numrat me të cilët ne do të kontaktonim në Shqipëri. Kështu që, përveçse do të merrnim informacion të freskët për zhvillimet politike në Shqipëri, do të mund të bënim edhe intervista…)

Dhe është fakt se pak kohë më vonë, në verë të atij viti, u dhanë intervistat e para nga Shqipëria në Zërin e Amerikës. Intervistat e para ishin tepër të guximshme për kohën dhe komentoheshin gjatë në popull, duke i bërë të njohur autorët e tyre. Ndër të parët që kanë dhënë intervista në Zërin e Amerikës kanë qënë intelektualë të fushave të ndryshme me prirje liberale, midis të cilëve Gramoz Pashko, bir i një familjeje me bindje të thella komuniste, pedagog në Universitetin e Tiranës dhe një nga themeluesit e Partisë Demokratike në dhjetor të ’90-ës, si dhe Fatos Nano, ish-punonjës në Institutin e Marksizëm-Leninizmit, i cili më vonë do të bëhej kryetar i PS dhe një nga protagonistët e skenës politike shqiptare. Gjithsesi, të dy ishin njerëz të besuar të regjimit. Në intervistat e tyre konstatohej situata tepër e vështirë ekonomike që mbizotëronte në vend, apo kolapsi ekonomik që propaganda zyrtare përpiqej të mos e pranonte, dhe kritikohej me kujdes drejtimi i centralizuar i ekonomisë, kritikoheshin gjithashtu segmente të veçanta të shtetit dhe ku nënkuptohej tërthorazi çështja e ndryshimeve të domosdoshme (si ato të Europës Lindore). Ende nuk mund të flitej haptaz për përmbysjen e regjimit komunist.

Por, 2 Korriku i Ambasadave i përshpejtoi ngjarjet në mënyrë të paparashikuar. Pastaj në tetor ikja e Kadaresë… Në Zërin e  Amerikës u shpeshtuan intervistat nga Shqipëria, Kosova dhe vendet perëndimore ku kishin emigruar refugjatët e korrikut. Të rebeluarit, pra ata që guxonin të flisnin te Zëri i Amerikës, jo vetëm ishin shtuar mjaft në numër, por u ishte shtuar edhe guximi. Të gjitha shigjetat e sulmeve të tyre drejtoheshin lart, tek ish-udhëheqja komuniste dhe, ndonëse ndihej kërcëllitja e dhëmbëve koridoreve, në fakt asnjë masë drastike nuk u muar ndaj atyre që flisnin kaq hapur kundër regjjimit, çka tregonte më shumë se tolerancën, afrimin e fundit të atij sistemi.

Morsa e diktaturës ishte dobësuar së tepërmi.

Megjithatë, Biberaj ishte i kujdesshëm. Sikurse më kanë thënë disa prej të intervistuarve, Biberaj interesohej edhe për pasojat dhe i pyeste se në rast se ndonjë nga pyetjet u hapte punë, d.m.th.  i rrezikonte, mund të mos i përgjigjeshin ose ta hiqnin. (Këtë vëmendje dhe kujdes të tij do ta provoja edhe vetë kur fillova të bashkëpunoja me të dhe më pas në momente të veçanta të situatave të tensionuara në vend).

Në vitet ’80 pra, Zëri i Amerikës i rriti në mënyrë të ndjeshme dëgjuesit në Shqipëri, duke bërë dhe një ndryshim të madh cilësor të programeve, duke i sjellë dhe përshtatur ato me realitetin shqiptar, por edhe me shqipen letrare.

Pikërisht në këtë periudhë ndodhi kapërcimi i madh nga Zani i Amerikës te Zëri i Amerikës.

Në Zërin e Amerikës (ndryshe nga radio Moska, ku përgjithësisht flisnin rusë që kishin mësuar shqipen), tradicionalisht kanë punuar njerëz të mërgatës shqiptare në Amerikë, ish-refugjatë ekonomikë të kohës së paraluftës dhe, me pas, në shumicën e rasteve ish-të arratisur politikë nga Shqipëria dhe Kosova. Në këta të fundit bënin pjesë ish-të përndjekur politikë të regjimit komunist (të cilët kishin mundur të integroheshin edhe në struktura të veçanta të shtetit amerikan) dhe që, të gjithë së bashku, me propagandën e emetuar nga Zëri i Amerikës, mbajtën të gjallë shpresën e përmbysjes e diktaturës komuniste në Shqipëri.

Elez Biberaj, pjesëtar i kësaj mërgate, megjithëse nuk kishte qenë asnjëherë në Shqipëri para ndryshimeve të vrullshme të dekadës së fundit, ishte më pranë realitetit shqiptar në kohë, ndryshe nga kolegët dhe paraardhësit e tij, pasi ai dukej se ndiqte me vëmendje dhe hap pas hapi çdo zhvillim dhe nuancë të politikës shqiptare, nëpërmjet lidhjeve të shumta që kishte ose krijoi gjatë punës në Zërin e Amerikës, lidhje që ai i zgjeronte vazhdimisht. Kam konstatuar se ai është një nga lexuesit tepër të vëmendshëm të shtypit shqiptar prej vitesh si dhe i literaturës politike që botohej dhe botohet në Shqipëri.

Por, Biberaj i njohur në Shqipëri do të bëhej në mënyrë të veçantë me një sërë intervistash që mori në fillimin e proceseve demokratike.

Në rritjen cilësore të programeve të Zërit të Amerikës, sidomos  për situatën në Shqipëri, mendoj se ka ndikuar pasurimi i këtij radiostacioni me emra dhe zëra të rinj. Në mesin e viteve ’80 mërguan në Amerikë e filluan punë atje motrat Islami, Isabela dhe Zamira,  si dhe Astrit Lulushi, arratisja e të cilëve nga Saranda nëpëmjet kanalit të Korfuzit, bëri bujë të madhe atëherë në Shqipëri. Në fillim të viteve ’90 ekipit të Uashingtonit iu shtuan Ilia Therecka, ish i përndjekur politik i regjimit komunist për një kohë të gjatë, si dhe Arben Xhixho e Ilir Ikonomi, ish-gazetarë të Radio Tiranës, të cilët shkuan legalisht për të punuar në zyrat qendrore të seksionit të gjuhës shqipe të Zërit të Amerikës. Ndërsa para këtyre të fundit, kishte filluar punë një korrespondent në Tiranë, të cilin e pasoi caktimi i korrespondentëve edhe në Prishtinë, Shkup dhe Beograd…

Zëri i Amerikës pra, nuk mund të shihet kurrsesi i shkëputur nga faktori Amerikë në tërësi, për proceset që ndodhën në vitet ’90 në Shqipëri.

Në krye të koalicionit të madh Perëndimor, Amerika udhëhoqi me sukses për mbi katër dekada Luftën e Ftohtë, duke triumfuar mbi bllokun lindor komunist me ish-Bashkimin Sovjetik në krye. E, para se të “dorëzohej” Shqipëria e vogël buzë Adriatikut, ishte “shembur” Moska, e mbiquajtur “Roma e Tretë”.

Me mbarimin e Luftës së Ftohtë, Amerika u ndodh e vetme në udhëheqje të Botës. E këtij udhëheqësi të fuqishëm paskëtaj do t’i bindeshin të gjithë…

——

©Copyright Gazeta DITA

Back to top button
LAJMET E FUNDIT