Nga muzika në ‘majat’ e politikës/ “Ushtari i rrugës” zgjidhet kryetar i PDK-së, kush është pasuesi i Thaçit dhe Veselit

Memli Krasniqi është zgjedhur Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, me votim të hapur. Ai ka qenë kandidati i vetëm për këtë pozitë dhe do ta udhëheqë për 4 vitet e ardhshme.

Në votim morën pjesë 476 delegatë. Vetëm 7 vota ishin kundër.

Memli Krasniqi ka prezantuar platformën që synon ta zbatojë gjatë mandatit të tij si kryetar i PDK-së. Në prezantimin e platformës, Krasniqi ka thënë se synon që PDK-në ta kthejë në vendin e parë dhe që të qeverisë me vendin.

“Ne sot jemi në opozitë. Kanë qenë edhe gabimet tona që i kanë kontribuuar kësaj situate. Ndoshta s’kemi mundur ta lexojmë krejt saktë disponimin e votuesve, prandaj edhe në dy palë zgjedhjet e fundit nuk kemi marrë mjaftueshëm mbështetjen e tyre. Reflektimi është i domosdoshëm. Nuk mund të vazhdojmë edhe më tutje njëjtë. Në këtë pikë, besoj se pajtohemi të gjithë. Kështu si jemi sot, nuk mjafton për t’u rikthyer. Por, ne qëllimin e kemi për t’u rikthyer”, deklaroi Krasniqi.

Në garë për kryetar të PDK-së pritej që të ishte edhe Enver Hoxhaj, i cili për tetë muaj ishte ushtrues i detyrës së kryetarit të këtij subjekti politik, por ai nuk hodhi kandidaturën.

Partia Demokratike e Kosovës mbeti pa kryetar më 5 nëntor të vitit 2020 kur Kadri Veseli dha dorëheqje nga drejtimi i partisë pasi Dhomat e Specializuara të Kosovës ia konfirmuan aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që nga ajo kohë Veseli është në paraburgim në Hagë.

PDK-ja për gati 17 vjet u udhëhoq nga ish-kryetari, Hashim Thaçi i cili po ashtu është në paraburgim në Hagë pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Kush është Memli Krasniqi

Krasniqi ka lindur në Mitrovicë më 25 janar 1980 ku ka kryer shkollimin fillor në shkollën fillore “Hasan Prishtina”.

Shkollimin e mesëm ai e kreu në gjimnazin “Xhevdet Doda”,  më Prishtinë, teksa i ka përfunduar studimet për Shkenca Politike dhe Administratë Publike në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës

Krasniqi ka të mbaruar magjistraturën në Marrëdhënie Ndërkombëtare në Shkollën Londineze për Ekonomi dhe Shkenca Politike (LSE).

Në vitet 1999 – 2000 ka punuar si gazetar për agjencinë amerikane të lajmeve Associated Press, ndërsa në vitin 2002 ka qenë Drejtor për Marrëdhënie me Publikun në Qendrën e Telemjekësisë së Kosovës.

Për shumë vite ai është marrë me muzikë dhe ka punuar në projekte të ndryshme muzikore, kryesisht si tekst-shkrues dhe si anëtar i grupit “Ritmi i Rrugës”, ndërsa një nga këngët më të njohura të tij është ‘Ushtari i rrugës’.

Rrugëtimin politik e ka filluar nga viti 2004.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT