“Mes Kosovës dhe Serbisë, hija e rezolutës 1244?”

Ben Andoni
“Në çdo rresht të artikullit të përbashkët, që shkruan ditët e fundit Ministrat e Jashtëm të Rusisë dhe Serbisë, Lavrov dhe Daçiç, botuar njëkohësisht në një media serbe dhe ruse, përmendej vetëm një koncept: Rezoluta 1244. Pastaj, me një siguri gati matematike dhe me një qetësi, që ua imponon forca e Moskës në Këshillin e Sigurimit, dy autorët qesëndisnin përpjekjet e Kosovës dhe politikanëve të saj dhe indirekt edhe përpjekjen e pafrytshme të deritanishme të BE-së. Paradoksalisht në as edhe një rresht të vetëm në të, nuk flitej për vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare që shqyrtoi vlefshmërinë e pavarësisë së Kosovës (kërkuar nga vetë Serbia) dhe vendimin e Autoritetit të Drejtësisë Ndërkombëtare pro këtij vendimi.
Ajo që dihet qartë dhe kuptohet thjesht është se pengesa e vetme dhe e pakalueshme e Kosovës ose e vendit të saj në OKB është dhe mbetet Rusia. Jo më kot, emri dhe potenciali i saj dhe pesha në organizatat ndërkombëtare përdoret ngado nga zyrtarët e Beogradit. Dhe, justifikimi mbetet gjithnjë Rezoluta 1244, sipas të cilës Kosova është e kufizuar dhe administrohet nga jashtë. Me këtë logjikë duket se në të ardhmen do bëhet rezistencë për të ardhmen e Bosnjës, por ku ta dish mbase edhe vetë Ukrainës!!! Për të gjithë njohësit e Kosovës dihet se kjo rezolutë, e paraqitur nga Ahtisari, ka humbur fuqinë e saj kurse BE, pak vite më parë, në raportin e zgjerimit, kishte si klauzolë elementin që Serbia duhet të dakordësohej por ta nënshkruante juridikisht një marrëveshje të detyrueshme, që e rregullonte përfundimisht statusin e Kosovës. Dekadat e fundit, për Rusinë, dihet sesa i respekton, kur flitet për interesat e saj. Ndaj, edhe kur është nënshtruar e ulur Serbia sa i përket Kosovës, kjo nuk mund të thuhet për Rusinë, që duket se edhe nëse në Beograd ndihet frymë marrëveshje me Prishtinën, Moska sërish do nxjerrë pengesa në Këshillin e Sigurimit pa marrë atë që asaj i intereson.
Problemi është pak më ndryshe, pasi ndërsa Kosova do tejësisht heqjen e pengesave drejt ulëses në OKB, Bashkimi Evropian ka ngecur me punën e konsensusit për njohjen e Kosovës, për shkak se vendimet e saj merren në mënyrë kolegjiale. Krejt ndryshe, Amerika luan një rol tepër vendimtar, pasi ka ndihur në forcat e armatosura të Kosovës, inkurajon anëtarësinë e saj në NATO dhe mbi të gjitha artikulon thjesht e qartë për të ardhmen e saj. Pikërisht angazhimi i saj direkt është besueshmëria e vetme e shqiptarëve, por edhe siguria më e madhe e Kosovës.
Serbia e përcjell angazhimin e saj në përpjekjet kundër Kosovës edhe me një angazhim kundër Shqipërisë, që e akuzon sistematikisht se po punon për tezën e Shqipërisë së Madhe. E ndërkohë edhe paçka zotimeve të fundit vazhdon fushatën kundër njohjeve të Kosovës. Për shumë nga studiuesit është e qartë: Vetëm marrëveshja që përfshin ripërcaktimin e kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë do të ishte një marrëveshje finale. Po cila është thembra e Akilit e gjithë kësaj?! A mos vallë duhet zhbërë Rezoluta 1244 me mirëkuptim?! E vështirë! Ajo është ganxha ku kapet e gjitha kundër Kosovës.
Intermexo
Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit u miratua më 10 qershor 1999, fill pas marrëveshjes për tërheqjen e trupave serbe nga Kosova. Në këtë rezolutë, statusi politik i Kosovës përcaktohej si protektorat i OKB-së, dhe i jepej administrimi i saj kësaj organizate ndërkombëtare. Rezoluta e OKB e bënte atë përgjegjësen për administratën civile kurse NATO-n për sigurinë në Kosovë. Paradoksi më i madh i rezolutës është se e bën Kosovën protektorat të OKB-së, ndërkaq jo pak herë në këtë rezolutë përmendet se Kosova është pjesë e Jugosllavisë!!! Ganezi, Kofi Annan, ishte sekretar gjeneral i OKB-së kur u miratua kjo rezolutë. Që në momentin që Jugosllavia nuk ekziston por edhe se Kosova ka kaluar në stad tjetër, kjo marrëveshje tashmë konsiderohet e tejkaluar.
…
Dhe, vërtetë ajo tashmë është tejkaluar, por në realitet funksionimi i plotë i shtetit të Kosovës dhe fuqizimi i sovranitetit të saj lidhet me atë sesi do i qaset Kosovës Lindore dhe dialogut me Serbinë. A do të lëshojnë Kosova dhe Serbia dhimbshëm, në mënyrë që të nënshkruajnë një marrëveshje jetëgjatë?! Si do jetë e ardhmja e Trepçes?! Disa herë Vuçiç e ka bërë me dije, e po ashtu edhe Thaçi se marrëveshja ka shumë anekse. A do shkohet pastaj drejt udhës për ndryshimin e kushtetutës së Kosovës dhe Serbisë? Po pse është kaq e gjatë udha?!
Duket se pengesë de jure dhe de facto është vetë kjo rezolutë me të cilin nisi jetën procesi i pavarësisë së Kosovës. “Një qasje e tillë e gabuar në shkelje flagrante të Rezolutës 1244 të KQZ-së ka për qëllim vetëm plotësimin e aspiratave separatiste kosovare”, citojmë letrën e Daçiç dhe Lavrov, që kanë gjetur mundësi të përflasin dhe misionin e Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), mandati i të cilës përcaktohet me Rezolutën 1244. Dhe, zyrtarët kanë kritikuar amerikanët dhe statusin e Camp Bondsteel, që sipas tyre u krijua si një bazë paqeruajtëse por u shndërrua në një vend trajnimi jashtë kufijve për “forcat e armatosura” të Kosovës. Ndaj shpresat e sotme të Serbisë janë veç Rusisë dhe tek Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë Josep Borrell dhe Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë Mirosllav Lajçak. Porse Evropa është e pabesueshme në Prishtinë: Nuk ia ka dhënë një mesazh lehtësimi.
Dhe, sërish, në mes mbetet ajo diga e pakalueshme e Rezolutës 1244, që SHBA bën sikur e ka harruar, kurse rusët e mbajnë me forcë në këmbë. Sepse ajo është aty. E paprekur në papërdorimin e saj”.