Hungaria përkrah serbëve, Viktor Orban: Pa Serbinë, rajoni nuk mund të bëhet pjesë e BE-së

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka thënë se zgjerimi duhet të jetë projekti më i rëndësishëm i BE-së dhe Serbia është vendi kyç i Ballkanit Perëndimor në këtë proces.
“Pa Serbinë, rajoni nuk mund të bëhet pjesë e BE-së”, tha ai.
Vizita e tij në Serbi ka ardhur vetëm dy ditë pasi i paraqiti Bashkimit Evropian disa propozime sesi të fuqizohej blloku, ku njëra prej pikave ishte se Serbia duhet të bëhet pjesë e BE-së.
Gjatë një deklarate për mediat, pas takimi të bërë me Vuçiçin, Orban tha se në kohën kur vendi i tij ishte në proces integrimi, ishte e qartë për të gjithë se nga vendet e Evropës Qendrore, Polonia ishte një vend kryesor për integrimin e këtyre vendeve.
“Për këtë arsye unë e mbështes anëtarësimin e Serbisë në BE, sepse pas saj është i gjithë Ballkani Perëndimor. Derisa Serbia të integrohet, Ballkani Perëndimor nuk do të integrohet”, tha Orban.