Kanabis në serat e shtetit? Ministrja poston vetë videon, shton dyshimet pasi fshin pamjet ku shfaqet bima e ‘çuditshme’

Një video e postuar nga ministrja e Bujqësisë Milva Ekonomi gjatë një vizite në serat e shtetit në Lushnje, ka ngjallur dyshime te shumë nga ata që kanë vënë re një detaj të pazakontë.
Kamera ka filmuar perimet në Qendrën e Transferimit të Teknologjive Bujqësore, por për disa sekonda mes domateve është shfaqur një bimë e çuditshme, që ngjason me kanabisin.
Shumë nga ata që e kanë parë bimën, kanë qenë të sigurtë se ishte kanabis. Me kërcell të hollë dhe gjethe pesë fletëshe.
Nuk përjashtohet mundësia që bima të ketë qenë ajo që njihet si kërp industrial i mbjellë për arsye shkencore, pasi kjo qendër merret me Identifikimin, testimin, përshtatjen dhe futjen e praktikave të reja bujqësore.

Megjithatë, ajo që ka rritur edhe më tepër dyshimet është fakti se video e postuar nga ministrja Ekonomi është hequr, dhe më pas është postuar përsëri por pa pjesën e bimës misterioze.
Ndërkohë do të mjaftonte vetëm një reagim nga zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë për ta sqaruar të gjithën, por që ende ska ndodhur.
Sikur të mos mjaftonte e gjtha kjo, sot në territorin e Institutit të Teknologjisë Bujqësore në Lushnje, ka rënë një zjarr i madh. Kjo mund të mos ketë aspak lidhje me bimën që u shfaq në videon e ministres së Bujqësisë, por kaq ka mjaftuar që rreth kësaj ngjarjeje të lindë një “konspiracion”.
Më poshtë mund të shikoni edhe pamjet, kur në videon origjinale shfaqet bima që shumë dyshojnë se është kanabis.