Dyshime mbi shkakun e helmimit në Kosovë, Osmani: Rast i çuditshëm

Pas kryetarit të Komunës, edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani hedh dyshime mbi shkakun e helmimit të 1500 qytetarëve nga uji i pijshëm në Deçan.
Presidentja Vjosa Osmani vizitoi personat e helmuar në spital dhe tha se ky rast është i çuditshëm duke kërkuar nga institucionet e hetuesisë që këtë çështje ta trajtojnë me urgjencë.
“Të helmuarit janë në gjendje stabile. U njoftuam me problemet që janë ballafaqua për shkak të mungesës së barnave. MSh-ja ka konfirmuar se do të furnizohet me barna. Ne do të presim rezultatet e hetimet është rast shumë i çuditshëm, pasi fshatrat që janë furnizuar nga i njëjti ujësjell janë ankuar, por po ashtu edhe fshatrat që nuk janë furnizuar nga ky rrjet i ujësjellësit janë ankuar. Përpos analizave kimike po presim edhe analizat biologjike. Po pres që institucionet e hetuesitë ta trajtojnë rastin me urgjencë”, tha ajo.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, tha se e gjithë potenciali i Qeverisë është nën dispozicionin e komunës së Deçanit.
“Si qeveri jemi të ndërgjegjshëm, kryetari ka shpallur gjendjen emergjente, kemi filluar koordinimin mes kolegeve të tjera për të gjetur zgjidhjen në këtë komunë, jemi të interesuar që të punojmë në cdo aspekt, ajo se çfarë është menduar se mund të jetë I një far mikrobi në ujë momentalisht nuk është konfirmuar. Prandaj si qeveri më lejoni që të gjithë potencialin tonë e kemi në dispozicion për komunën e Deçanit”.
Rast të çuditshëm e ka vlerësuar edhe ish-Kryeministri Avdullah Hoti, që gjithashtu kërkon hetim.
“E çuditshme që edhe pas tri dite nuk ka raport zyrtar për shkakun e helmimit dhe as udhezime zyrtare të qarta për qytetarët se si të veprojnë. Duhen masa të shpejta: 1. Duhet formuar ekip shëndetësore interdiciplinare për të trajtuar me urgjencë të prekurit. 2. Duhet urgjentisht të ngritet një task forcë për të gjetur shkakun e helmimit”, ka shkruar Hoti në Facebook.