Për të qeshur e për të qarë: Prokurori i Krujës fshin dënimin që i dha vetë të burgosurit, ia ngarkon… të dënuarit të qelisë ngjitur (!)

Faqja priza.al ka treguar sot historinë e dy të dënuarve Gentjan Doda dhe Gjovalin Kadeli. Priza ka akuzuar prokurorin Petrit Çano se “njërit i ka hequr fajin dhe ia ka bartur të dënuarit tjetër vetëm pse njëri ka patur mundësi të paguajë dhe tjetri jo”.

Po çfarë ka ndodhur konkretisht?

Ngjarja zë fill kur grupi i gatshëm i Forcave Operacionale të DPB-së ka kryer një kontroll në burgun e Krujës për sende të paligjshme. Gjatë këtij kontrolli Dodës i janë kapur në qeli dy telefona celularë “HTC” dhe “BlackBerry”.

Doda fillimisht ka pranuar pronësinë e aparateve celulare, por më pas me avokatët e tij mbrojtës në krah ndryshoi version dhe tha se, “telefonat nuk ishin të tijët, por të Gjovalin Kadelit që vuante dënimin në qelinë ngjitur”.

Kjo nuk është marrë parasysh nga prokurorët të cilët kanë kërkuar nga Gjykata e Krujës, fillimisht vendosjen e masës “arrest me burg” për Gentjan Dodën duke e akuzuar për “mbajtje sendesh të paligjshme”, por edhe për Gjovalin Kadelin, duke e akuzuar për “moskallzim krimi”.

“Ky proces i stisur dhe i ngatërruar qëllimisht, i ka ardhur për shtat prokurorëve të çështjes për të bërë një dorë para nga të dënuarit” – shkruan Priza.

Sipas faqes në fjalë, i përfshirë në këtë çështje ka qenë prokurori Bujar Memia, por në mungesë të tij, vendimin për heqjen e dënimit nga autori Doda dhe për bartjen e tij tek i dënuari Kadeli e ka bërë vet kreu i Prokurorisë Krujë, Petrit Çano.

Dolumentat e shumtë që boton Priza provojnë se dënimi fillimisht është dhënë për të dy:

“Çano me ndihmën e vartëses së tij, prokurores Mirela Kapo, ka firmosur dhe vulosur dënimin shtesë për të dënuarit e mësipërm, duke u dhënë përkatësisht Gentjan Dodës edhe 3 vite burg dhe Gjovalin Kadelit edhe dy vite shtesë për “moskallëzim krimi”.

Por më pas ka ndodhur çudia:

Dokumentet e provave, procesverbalet dhe çdo fakt i konstatuar nga policët që kontrolluan qelitë janë ndryshuar dhe fajësia dhe autorësia për telefonat celularë të kapur i është veshur e gjitha Kadelit.

Prokurori Çano bashkë me vartësit e tij, e kanë nxjerrë të “pastër” Dodën, duke dalë befas në përfundimin se “telefonat e kapur në krevatin e tij vetëm sa po karikoheshin aty”. Ndërkohë dënimi i është “rrasur” të dënuarit tjetër Kadeli, – shkruan Priza dhe shton se nesër do shkruajë se çfarë e lidh prokurorin Petrit Çano me të dënuarin A.S.

Faksimilet e dokumentave lidhur me denoncimin e mësipërm mund të lexohen duke klikuar KËTU

Back to top button
LAJMET E FUNDIT