Gjata: Ja çfarë duhet të bëjë dhe cilët duhet të prangosë SPAK në mënyrë që ne ta besojmë

Partia Demokratike vijon ta konsiderojë SPAK-un si një mekanizëm apo levë politike që duhet futur nën kontroll.
“Selia blu”, pëmes sekretarit për çështjet ligjore Çlirim Gjata tregon se çfarë duhet të bëjë SPAK në mënyrë që ata ta besojnë.
Ai thotë se nuk beson te puna e tyre teksa ka folur për aksionet e fundit, që nga arrestimet për tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit, apo arrestimi ish-kryebashkiakut Fatos Tushe si dhe masën e “arrestit të shtëpisë” për Rovena Vodën
Gjata tha se çdo abuzim ndodh me lejen e shefave të mëdhenj, ndërsa shtoi se është habi që ish-ministri Sandër Lleshaj nuk ishte në dijeni për tenderin e uniformave.
Mes të tjerash Gjata tha se SPAK nuk duhet të justifikohet me “peshqit” e korruptuar me peshq.
“Çështja në fjalë është e vjetër, që e kam bërë një deklarim për një abuzim me fondin e ish-parkut olimpik. Bëhet fjalë për 800 mijë euro. Pavarësisht se ndodhemi në gjyq për shpifje, këtu duhet të dimë se çfarë po ndodh. Kur doli tenderi për Uniformat e Policisë, Lleshaj paditi PD-në. Që SPAK bëri arrestimin e 9 zyrtarëve, Lleshaj doli dhe tha se nuk ishte në dijeni. Por si mund të mos ishte në dijeni kur shkoi dhe paditi PD-në. Si ka mundësi që nuk di gjë as ministri, as zv.ministri apo dhe zyrtarët? Ne po i kërkojmë kësaj prokurorie që duhet të shoh më seriozisht dhe të hyjë më thellë brenda unazës së Tiranës, në institucionet për të rëndësishme. SPAK për gjithë këtë që u bë në drejtësi, s’mund të kapë “një peshk” që qenka korruptuar me peshk. Ne e inkurajojmë, por s’duhet vetëm kaq. S’duhet të rrish t’i në nivel të një kryetari bashkie, apo zv.ministri. Korrupsioni në Shqipëri është më i thellë se kaq. SPAK nuk është në nivelet e tij nëse nuk futet më tej. Misioni është më i madh. Megaaksioni duhet të nis nga lartë, që është kryeministri Rama, koka e qelbur e peshkut të madh”, tha Gjata.