Bllokohen 53 ton mish me salmonelë i destinuar në tregun shqiptar
Shqipëria është shpesh herë destinacion i ngarkesave ushqimore të pakontrolluara. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka intensifikuar kontrollet për ndëshkimin e subjekteve që importojnë mallra me rrezik për shëndetin e popullatës.
Së fundi AKU ka bllokuar dy ngarkesa me mish me një sasi prej 53.1 ton pasi rezultonte i kontaminuar me salmonelë.
Raportohet se ngarkesat vinin nga Brazili. Këto ngarkesa janë vetëm të radhës në vazhdën e rasteve të konstatuara. Gjatë këtij viti janë kthyer më parë 78.1 ton mish i kontaminuar.
Kontrollet e imtësishme për ngarkesat e mishit nga Brazili kanë nisur pas skandalit që ka shpërthyer në mediat botërore vitin e shkuar.
Në 2017-ën, në Shqipëri janë kryer kontrolle për 225 mostra dhe vetëm në një prej tyre mishi rezultoi i kontaminuar.
Ndërkohë, me gjithë shtimin e kontrolleve, këtë vit tendenca e paligjshmërive është në rritje.
Raportohet se nga Janari deri më sot janë analizuar 178 ngarkesa të dyshimta dhe 5 prej tyre kanë rezultuar problematike. Sasia e mishit shkonte në 130 ton./ZgjohuShqiptar.info