Thirrjet për protestë kundër rritjes së çmimit të naftës nuk u dëgjuan, aktivisti: Jemi gati të japim jetën për politikë, por jo për…

Thirrjet për protestë kundër rritjes së çmimit të karburantit të shpërndarë në rrjetet sociale, nuk u dëgjuan. Të ulet çmimi në 150 lek është kërkesa e shkruar, ndërsa në kryeqytet një litër naftë kushton deri në 22 lek më tepër.
Nga një vëzhgim i kryer në disa prej pikave të tregtimit të karburanteve, për një litër naftë duhet të paguash nga 169 deri në 172 lek. Afro dy javë më parë, e njëjta sasi kushtonte 166 lek.
Që prej daljes së vendit nga karantina, karburanti po iu kushton më shumë drejtuesve të automjeteve në vend. Tregtarët e justifikojnë rritjen e çmimit me shtrenjtimin e saj në tregjet ndërkombëtare.
Kjo temë u diskutua ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live”, ku në një lidhje “Skype” ishte aktivisti, Altin Hazizaj. Ai u shpreh se rritja e çmimit të naftës nuk e prek atë, pasi vetë ecën me biçikletë nëpër Tiranë, por ndikon shumë te qytetarët shqiptarë.
Sipas tij, Shqipëria nuk ka një histori të protestave për gjërat jetësore, por vetëm për politikë.
“Shqipëria nuk ka histori të protestave, sidomos për çështjet e jetesës. Jemi gati të japim jetën për politikën, por jo për çmimet e gjërave jetësore, jemi shumë të varfër në këtë aspekt. Dhe është ndikimi komunist për sa i përket protestave të tilla, mesa duket vijon të ketë ndikim.
Rritja e çmimit nuk më prek shumë se eci me biçikletë, por ka shumë familje që ndikohen nga çmimi i naftës. Ka familje që ecin me urban, e si pasojë e çmimit të naftës rritet edhe çmimi i transportit publik. Rritja e çmimit të naftës është i lidhur drejtpërdrejtë me jetën tonë”.