“Balla më i votuari, provë se…”/ Basha: Do ndajmë politikën nga krimi, ne nuk e veshim kriminelin me kostum deputeti

Lideri i PD, Lulzim Basha u shpreh në Kuvendin Kombëtar të PD se pa fituar luftën për demokraci, e ardhmja nuk do të jetë më mirë.

“Shqiptarët sot e dinë se problemet që ata hasin në punësim, arsimim, shëndetësi, biznes e kudo tjetër burojnë aty ku e ka gjenezën lufta jonë me regjimin: Te demokracia që shkatërrohet, tek zgjedhjet që vidhen, tek e drejta që shkelet.
Dhe pa u fituar kjo luftë, për cdo shqiptar, të majtë apo të djathtë, atëhere cdo zgjedhje e lirë në jetën e secilit prej tyre, cdo përpjekje e gjithsecilit prej tyre për punësim, për arsimim për të patur një jetë më të mirë, do të jetë e pamundur”, tha lideri i PD.

Kryedemokrati tha se prova më e qartë për blerjen e votave është fakti se Taulant Balla doli personi më i votuar më 25 prill.

“Taulant Balla doli personi më i votuar dhe kjo do të mjaftonte si prova më zezë e blerjes së votave. Përkundër parave për vota, legalizimeve për vota, lejes për të mbjellë hashash për vota, Partia Demokratike doli me kokën lart nga kjo masakër zgjedhore. 25 prilli nuk kishte lidhje me drejtësinë, por ne dolëm më të fortë dhe me synimin së një Shqipëri më e mirë është mundur”, u shpreh lideri i PD.

Basha garantoi qytetarët se do luftohet çdo ditë për ndarjen e politikës nga krimi

“Jemi ne që luftuam dhe luftojmë kundër kriminalizimit të politikës, dhe sfidës që krimi i organizuar po i bën çdo vlere të shoqërisë tonë me bekimin dhe ortakërinë e Edi Ramës, sepse ne nuk mund të pranojmë kurrë që institucionet publike të përqafojnë një model, që askush nuk do ta pranonte për familjen apo fëmijët e tij.
Ne nuk e veshim kriminelin me kostum për ta futur në parlament dhe bashki.
Ne kemi luftuar dhe luftojmë që institucionet e shqiptarëve të jenë të lira nga ndikimi i krimit dhe në shërbim të qytetarëve.

Ne e dimë fare mirë, që kur ky tumor përhapet në indet e një partie politike, metastazat e tij kapin gjithë shtetin, deri në atë pikë sa sot është e qartë për të gjithë pa përjashtim, se pushteti i rrëmbyer me masakrën zgjedhore, nuk i përket qytetarëve, as socialistëve, por ortakëve të Edi Ramës që blenë vota, shantazhuan, dhunuan, dhe në këmbim marrin kontrollin mbi ato institucione që i shërbejnë më mirë interesave të tyre kriminale”, u shpreh Basha.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT