Reagimi i ashpër i Ramës, biznesmeni Sota i kundërpërgjigjet: Servilët nuk po ia tregojnë drejt situatën, e presim në Vlorë

Ervin Sota, përfaqësuesi i sipërmarrësve të bizneseve të Vlorës ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Edi Rama, i cili në një farë mënyrë e kundërshtoi protestën e tyre që kërkojnë rishikimin e orarit të kufizimeve dhe të lejimit të muzikës.
Nga studio e “Breaking”, Sota deklaroi se shpreson se që Rama të reagojë realisht për këtë situatë. “Shpresoj që kryeministri të reagojë realisht për këtë, të lejohemi të bëjmë biznes sa më të frytshëm dhe sa më konkurrent të fqinjët tanë që kanë sukses, si Mali i Zi. Ne thjesht po mbyllim bizneset tona, e nuk kemi ndërmend të bëjnë demonstrime ekstreme dhe karagjozë”, deklaroi Sota në “Breaking” në Top News.
Ai kontestoi dhe gjobat e vendosura ndaj biznesit në këtë periudhë, duke e cilësuar se kjo është sikur ti shpallësh luftë ndaj tyre, në një kohë që janë taksapaguesit më të mëdhenj.
“Rama nuk është se duket i ashpër se ne e quajmë dhe pjesë të qytetit tonë, sepse ka qenë deputet dhe është nip i Vlorës. Por edhe me pak kthjelltësi, ndoshta po të informohet realisht dhe drejtpërdrejt me ne, ne e mirëpresim e diskutojmë ‘sy më sy’. Gjithçka nëse ne e kemi gabim, hajde ta themi, ne nuk jemi këtu ti drejtojmë heshtën njëri-tjetrit. Ai është nip Vlore, patjetër ai vjen pa ftesë dhe jo më me ftesë. Ne po flasim për gjëra normale dhe me sens. Ndoshta nuk e informojnë qartë. Ndoshta servilët apo militantët duan që të ekspozohen dhe të duken bukur Lungomare, por ai është një njeri që i kërkon gjërat e drejtpërdrejta, hajde ta diskutojmë”, tha Sota.