VIDEO/ Hysaj u përgjigjet “fashistëve” me gol; rasti i tij shkon deri në Parlamentin Europian

Elseid Hysaj iu përgjigj me gol tifozëve ekstremistë të Lacios, që e cilësuan tradhtar dhe kërkuan largimin e tij vetëm e vetëm se shqiptari u prezantua me këngën “Bella Ciao”, që për një pjesë të tifozëve lacialë është këngë komuniste.

Goli është shënuar në miqësoren modeste me skuadrën Fiori Balp Mas, ku shqiptari u aktivizua nga Maurico Sarri si mbrojtës i krahut të majtë.

Ndërkohë, rasti i tij ka mbërritur deri në dyert e Parlamentit Europian, ku Presidenti i këtij parlamenti, Davide Sassoli ka reaguar përmes një deklarate duke i dhënë mbështetje.

“Solidarizimi im me futbollistin shqiptar të Lazio, Elseid Hysaj, i cili është sulmuar nga ultrasit, të cilët me një banderolë e kanë quajtur ‘krimb’, për shkak të këngës së tij “Bella Ciao” gjatë prezantimit para ekipit. Së fundmi kemi përjetuar gëzimin e madh nga Italia me fitimin e Europianit dhe është turp që kjo të thyhet me demonstrata intolerance që nuk do të kenë kurrë vend në botën e sportit apo kudo tjetër”, ka deklaruar David Sassoli.

‘Calciomercato’ shkruan se një grup tifozësh ekstremistë të Lacios kanë shkuar në hotelin ku qëndron ekipi dhe ka kërkuar përballjen me lojtarin shqiptar. Në mbrojtje të këtij të fundit ka dalë drejtori sportiv Igli Tare, por edhe Presidenti Claudio Lotitto, i cili ka deklaruar se ‘Hysaj nuk ka bërë asgjë të keqe’.

Gjithashtu, në lidhje me këtë rast ka reaguar edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka. “Ti je dhe do të mbetesh jo vetëm një futbollist i mrekullueshëm, por edhe një personalitet i botës së futbollit. Fakti që ke kënduar një këngë, as e cënon e as i jep të drejtë askujt që të vër në dyshim personalitetin tënd”, shkroi ai.

Hysaj u mor në mbrojtje edhe nga vetë klubi përmes një deklarate zyrtare.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT