Petro Koçi sqaron “tenderat” e Fierit dhe analizon zgjedhjet: PD mori votat e LSI, administrata penalizoi PS

Partia Socialiste nuk e ka nisur ende analizën e rezultatit të zgjedhjeve të 25 prillit dhe baza është në pritje të një dokumenti udhëzues mbi kriteret që duhet të ndiqen në hartimin e kësaj analize. Por, deputeti i zgjedhur i qarkut të Fierit, Petro Koçi e ka bërë një analizë personale paraprake.

“Dega e PS e Bashkisë Fier mori rezultatin më të mirë në Qarkun e Fierit. Nëse shifrës së votave për PS do t’i bashkonim vetëm gjysmat e votave të pavlefshme atëherë do të kishim thuajse të njëjtin rezultat si në 2017-n. Si subjekt kemi marrë më shumë vota sesa në 2019 -n dhe në 2015-n. Kjo dëshmon se manovra politike e realizuar në vjeshtë solli produkt. Por nga më të mirët në qark në duhet të ngjitemi sërish te më të mirët në Republikë”, thotë ai.

Koçi rendit një sërë faktorësh në këtë rezultat pozitiv dhe mes tyre rendit edhe Gramoz Ruçin dhe kryebashkiakun Armando Subashi.

“Efektet e qeverisjes, sidomos transformimi i qytetit nga Qeveria dhe punët e bashkisë ishin një argument në favorin e shpresës për realizime të reja në mandatin e ri. Dua t’i shpreh mirënjohjen përgjegjësit politik të qarkut për një fushatë intensive dhe të kudondodhur. Kryetari i bashkisë gjithashtu u angazhua fort në aktivitetet elektorale në gjithë territorin tonë politik si edhe ne në aktivitetin organizativ para fushatës”, deklaron ai.

Koçi thotë se deklaratat e tij në lidhje me tenderat në Qarkun e Fierit janë keqinterpretuar dhe ato nuk janë drejtuar ndaj kryebashkiakut të Fierit.

“Ky vlerësim s’ka lidhje me reagimet e hutuara të kohëve të fundit ndaj vlerësimit tim politik se në Fier ka zgjatje të duarve të krimit drejt financave publike dhe ku s’ka asnjë akuzë emërore”, shënon ai.

Koçi mendon se performanca e administratës, sidomos në sektorë si kadastra dhe arsimi nuk ndihmoi PS në këto zgjedhje, madje u kthyen edhe në barrë politike për këtë parti për shkak të vlerësimit negativ që kanë mes qytetarëve.

Ish-zëvendësministri i Brendshëm vëren se në këtë qark PD është rritur në kurriz të PS, ndërsa thotë se ka pasur një luftë të brendshme në koalicionin opozitar mes PDIU dhe PD për marrje mandati, edhe përmes blerjes së votës.

LSI-në e akuzon se përmes “të fortëve” i ka marrë PS-së vota në disa qendra votimi.
Si përfundim, analiza e Petro Koçit thotë se rezultati i PS në Fier është dinjitoz.

“Fitorja e këtyre zgjedhjeve në rang vendi është padyshim meritë e Edi Ramës. Të rrimë drejt dhe po drejt të flasim!”, mbyll analizën e tij Petro Koçi. / Gazeta Shqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT