Pezullohen HEC-et në Valbonë, fitorja e parë për ‘zemrën blu’ të Alpeve shqiptare

Mbrojtësit e Valbonës, një prej lumenjve më të bukur të Shqipërisë, duket se kanë fituar betejën e parë ndaj atyre që kërkojnë të fusin në tub lumin e egër dhe përrenjtë që e ushqejnë atë, duke rrezikuar mjedisin dhe turizmin në atë zonë.
Gjykata e Lartë ka vendosur të pezullojë punën për ndërtimin e HEC-eve në Valbonë, ndërsa pranoi kërkesën për kundërshtimin e projektit të ndërtimit të 2 hidrocentraleve “Dragobia” dhe “Cerem” nga shoqëria koncesionare Dragobia Energy SHPK.
Trupi gjykues i Kolegjit Administrativ i përbërë nga Sokol Sadushi, Ilir Panda, Sokol Binaj vendosi në dhomë këshillimi pezullimin e kontratës së koncesionit dhe shtesave të saj dhe lejeve të përmendura në pikat 3-6 të objektit të kërkesëpadisë, deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes me vendim të formës së prerë.
Lugina e Valbonës është një prej zonave më piktoreske që ka Shqipëria. Investimet në infrastrukture, promovimi, ujëvarat dhe kanionet piktoreske, si dhe mikpritja e banorëve, e kanë kthyer në një magnet për dhjetëra-mijëra turistë vendas dhe të huaj çdo vit.
Lumi i Valbonës është një nga lumenjtë më të rrëmbyeshëm të Alpeve Shqiptare, ndërsa Lugina është shpallur park kombëtar i kategorisë së Dytë në vitin 1996, me potencialin të shndërrohet në asetin më të rëndësishëm turistik në vend.
Gjithsesi, tre kontrata koncensionare të firmosura, që parashikojnë ndërtimin e 14 HEC-eve mbi lumin Valbona, e kanë vënë në rrezik këtë perlë të natyrës./Gazeta SHQIP