Donald Lu merr detyrën e radhës nga Joe Biden: Do vijoj betejën kundër korrupsionit

Ish-ambasadori amerikan në Shqipëri, Donald Lu, i emëruar së fundmi nga Presidenti i SHBA, si ndihmës sekretari i shtetit për Çështjet e Azisë Jugore dhe Qendrore, iu tha senatorëve në komisionin e jashtem se u ishte mirënjohës Biden-it dhe Sekretarit Antony Blinken për besimin që i kishin dhënë.
Diplomati premtoi se do të vijonte betejën e tij ndaj terrorrizmit dhe korrupsionit edhe në Azi.
“Si bir i një emigranti në Shtetet e Bashkuara, jam veçanërisht krenar që i shërbej vendit tim për 30 vite në Shërbimin e Jashtëm dhe Korpusin e Paqes. Gjatë këtyre viteve kam punuar në avancimin e axhendës sonë në antiterrorizëm, demokraci dhe anti-korrupsion”, tha ai.
Donald Lu premtoi se do të punonte për t’i bërë Shtetet e Bashkuara një partner të besueshëm për qeveritë dhe popujt e Azisë Qendrore dhe asaj Jugore.
“Në Afganistan, unë fillova karrierën time duke punuar në kufirin afgan në Veri. Me vendimin e Presidentit për të tërhequr trupat amerikane nga Afganistani deri më 11 Shtator, ne përballemi me rreziqe të reja. Unë kam një angazhim të thellë për të inkurajuar paqen, sigurinë, të drejtat e njeriut dhe të drejtat e grave dhe vajzave”.