Çfarë u diskutua dhe firmos sot mes tre liderëve në Shkup, takimi i radhës në Serbi

Në kuadër të Forumit Ekonomik që u mbajt ditën e sotme në Shkup mes kryeministrit Edi Rama, kryeministrit të MV Zoran Zaev dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç, u firmosën tre dokumente, dy memorandume mirëkuptimi dhe një marrëveshje ndërshtetërore.
1- Një memorandum mirëkuptimi ka të bëjë me nismën për të lehtësuar importin, eksportin dhe lëvizjen e mallrave në ballkanin perëndimor.
2- Një pikë tjetër do të jetë bashkëpunimi i doganave dhe autoriteteve të tjera kompetente si dhe dispozita të veçanta për sigurinë ushqimore, çështjet veterinare dhe fitosanitare të lëvizjes së produkteve industriale jo ushqimore, si dhe lëvizja e lirë e punëtorëve.
3- Me Marrëveshjen për Bashkëpunimin për Mbrojtjen dhe Shpëtimin nga Katastrofat në Ballkanin Perëndimor, palët kontraktuese rregullojnë kuadrin e kushteve për ndihmë vullnetare në rast fatkeqësish: planifikimi dhe zbatimi i masave për mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore dhe përmbytjet, tërmetet, zjarret, ndotja e mjedisit, aksidentet e anijeve, rreziqet radiologjike, pandemitë etj.
Theksojmë se në këtë takim në kuadër të Forumit Ekonomik nuk mori pjesë kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili tha se mini-shengeni është një nismë pa vizion, ndërsa takimi i radhës është planifikuar të mbahet në muajin tetor në Serbi.