VIDEO/ Kapet përballë Bunës “përbindëshi i detit” 650 kg, kapiteni i anijes: Është më i rrezikshmi

Një peshkaqen rreth 650 kg ka rënë në rrjetën e peshkatarëve, që e sollën sot në Durrës.
Peshkaqeni është kapur në thellësi të Adriatikut përballë grykëderdhjes së lumit Buna, nga anija “Gerardo”, në një thellësi prej 155 metrash nën ujë.
Kapllan Rama, kapiteni i anijes tregon se peshkaqeni i cili ra në rrjetën e tyre është i pesti që kanë kapur dhe më i rrezikshmi.
“Është i pesti, por ky është me i rrezikshmi. Pasi ngritëm tratat me vinç pamë peshkaqenin që po tentonte të shqyente rrjetën. Me kujdesin më të madh e hodhëm në kuverte këtë përbindësh deti. Pasi e ngritëm në vinç konstatuam se ishte rreth 6.5 m i gjatë dhe me pas se peshonte rreth 650 kg”, tregon ai për A2.