Fyen shqiptarët në Maqedoni, nis proces disiplinor ndaj Vardarit
Shqiptar i mirë, shqiptar i vdekur! Këto brohoritje si dhe shpalosja e pankartës me përmbajtje politike “44 Vasal, historia do t’ju mbajë mend përgjithmonë si tradhtarë”, e kanë ulur skuadrën e Vardarit në bankën e komisionit të Disiplinës pranë federatës maqedonase.
Komisioni garues pranë FFM-së, pas shqyrtimit të të gjitha raporteve nga ndeshja Vardar–Renova, e vlefshme për javën e 24-të, ia ka propozuar Komisionit të Disiplinës që të nisë proces disiplinor kundër skuadrës nga kryeqendra.
“Pas kompletimit të të gjitha materialeve, i kemi propozuar Komisionit të Disiplinës që të nis proces kundër Vardarit. Procesi disiplinor ka të bëjë me sjelljen e pahijshme të tifozëve”, – thonë nga FFM-ja.
Zyrtarët e ndeshjes Vardar–Renova, duke u thirrur në nenin 36 dhe 39 të Rregullores për gara, pas brohoritjeve dhe shpalosjes së pankartës me përmbajtje politike, për disa minuta e ndalën ndeshjen. Rregullorja e disiplinës së FFM-së, për rastet e përsëritura parasheh dyfishimin e dënimeve ndaj klubit./ZgjohuShqiptar.info